Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se pandemia e COVID-19 tash e mbi një vit ka prekur shumë sektorë e do të vazhdojë të ketë efekt edhe këtë vit, por shtoi se ka rrethana që mund të dërgojnë drejt përmirësimit, transmeton Gazeta Metro.
Ai ka thënë se ndikimi i koronavirusit është vërejtur që nga rënia ekonomike e regjistruar më 2020.
Por sipas tij gjërat pritet të ndryshojnë për vitin 2021.
“Për sa i përket vitit 2021, fatkeqësisht problemet me pandeminë po vazhdojnë të jenë të pranishme, mirëpo ekonomia është në përgjithësi e hapur, prandaj nëse vazhdohet me këtë ritëm mund të themi se pritet të jetë një vit më pozitiv për ekonominë sesa viti paraprak. Për më tepër, lehtësimi i qasjes në financa për sektorin privat përmes skemës së garantimit të kredive po ashtu pritet të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e aktivitetit ekonomik”, ka deklaruar Mehmetim në një intervistë për KlanKosova.tv.
Në këtë intervistë Mehmeti ka folur edhe për sektorin bankar dhe institucionet bankare, investimet e huaja direkte e deri te ndikimi i COVID-19 në këtë sektor./gazetametro.net