Është organizata George Williams Youth Association in Kosovo, përfaqësues të YMCA në Kosovë, e cila ka gëzuar sot një numër fëmijësh në komunën e Gjakovës, pikërisht për nder të Ditës së Fëmijëve.
Kjo organizatë e cila në qytetin e Gjakovës ka dyqanin e saj të bamirësisë ka dhuruar materiale shkollore për 40 fëmijë me aftësi të kufizuar. E po ashtu sipas drejtoreshës së kësaj organizate Dorina Lluka Davies, janë shpërndarë edhe rroba për 40 fëmijë të komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjiptian.
Lluka Davies, shpjegon për gazetametro.net, se dyqani i bamirësisë është i pari i këtij lloji në Kosovë, që është krijuar me qëllim të fuqizimit të rinisë.
Ajo shpjegon në detaje se çfarë kanë ndihmuar nga të ardhurat që ka dhuruar ky dyqan bamirësie.
“Që nga viti 2014 kur operon ka ndihmuar më shumë se 500 fëmijë me rroba për familjet në nevoje, 200 familje me ushqim, karroca për 7 persona me aftësi të kufizuara, 10 të moshuar me karroca/mbajtëse për ecje dhe po ashtu edhe Fondacionin për Nëna dhe Fëmijë me më shumë se 350 palë rroba për projektet e tyre dhe vazhdon të përkrahë programe të ndryshme”, thotë Dorina për gazetametro.net.
Ideja për hapjen e një dyqani të tillë ka ardh nga YMCA Anglia dhe YMCA Finlanda./gazetametro.net