Qendërmbrojtësi i Arsenal, Gabriel Magalhaes, gjatë një interviste ka zbuluar se si e kishte bindur sulmuesin, Gabriel Jesus, të kalonte te ‘Topçinjtë’. Ai thotë se gjatë një grumbullimi me kombëtaren e Brazilit kishte biseduar së bashku rreth të ardhmes së sulmuesit, transmeton Gazeta Metro.
Gabriel Jesus u transferua këtë verë në Londër nga Manchester City për shumën e 45 milionë funteve. Ai la përshtypje të mirë në ndeshjet parasezonale dhe pritet të jetë mjaft i rrezikshëm për kundërshtarët këtë sezon në Premier League.
Bashkëkombësi dhe tani bashkëlojtari te Arsenal, Gabriel Magalhes për SkySports ka treguar se si i kishte rekomanduar atij transferimin te ‘Topçinjtë’.
”Gabriel është një djalë me të vërtetë i mirë. Sigurisht, kjo na ndihmon që ne kemi lidhjen braziliane. Kur ishim në një grumbullim në kombëtare, diskutuam për të ardhmen e tij dhe unë po i thosha, ‘Hajde në Arsenal! Hajde në Arsenal! Ndoshta kam pasur pak ndikim te ai,” tha Magalhes.
Jesus është një sulmues i dëshmuar në kampionatin anglez. Ai për Manchester Cityn në 160 ndeshje të zhvilluara në Premier League kishte realizuar 95 gola dhe dhuroi 46 asistime. /gazetametro.net