Ish gazetari i Infokus-it, Halil Berisha është duke dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, në seancën gjyqësore që po mbahet ndaj Nasim Hradinajt dhe Hysni Gucatit.
Berisha gjatë dëshmisë së tij, deklaroi se nuk e ka pritur të intervistohet nga Gjykata, pasi që ai ka kryer vetëm detyrën e tij si gazetar.
“Unë jam gazetar dhe më thënë të drejtën nuk e kam pritur që kam më qenë i ftuar as për intervistim si dëshmitar, as si i dyshuar, sepse e kam kryer punën time aq sa e di në përpikëri dhe në mënyrë profesionale. Kështuqë, nuk e kam pritur që kam me qenë i ftuar. Kjo ka qenë paksa e çuditshme për mua edhe kur më është bërë ftesa unë kam kërkuar që bashkë më mua me qenë avokati, Arianit Koci”, tha Berisha
Gazetari Halil Berisha, nuk është duke dëshmuar për luftën, UÇK-në, apo kundër krerëve të OVL-UÇK-së, por thjeshtë si gazetar që mori pjesë në konferencën për media të organizuar nga OVL-UÇK-ja, ku u bënë publike dosjet e Gjykatës Speciale.