Loading…

Haliti përplaset me Gërvallën: ‘Krejt të këqija i kanë ardh Kosovës prej tyre’

  • 30/11/2021 | 15:10

Haliti përplaset me Gërvallën: ‘Krejt të këqija i kanë ardh Kosovës prej tyre’

Një përplasje ka ndodhur në mes të ministres së Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe deputetit të PDK’së, Xhavit Haliti, në Komisionin për Punë të Jashtme. Haliti ka thënë se Kosovës krejt të këqijat i kanë ardhur nga njerëz që bëhen ambasador e familjet e tyre i kanë punuar si sekretar komiteti, duke aluduar tek ata që i kanë shërbyer ish sistemit, shkruan Gazeta Metro.


Gjatë diskutimit në këtë komision, Haliti i është drejtuar Gërvallës se në postin që ka ardhur është për arsye të familjes, por se ka pasur vërejtje ndaj ambasadorëve të rinj, duke thënë se nuk duhet të bëhet ambasador dikush që babi i ka punuar qoftë sekretar komiteti në një komunë ose tjetër.

Në këtë diskutim ka ndërhyrë edhe deputetja e VV’së, anëtare e këtij komisioni, Fitore Pacolli, e cila tha se nëse diskutimi vazhdon do ta lëshojnë mbledhjen.

“Ti je bo ministre për shkak se keni prejardhje familjare që të gjithë në Kosovë i përulemi. Për këtë ke ardh ti. Por, nëse këta ambasadorë kanë një të kaluar familjare, që nuk e kanë si ti, unë menoj që nuk duhet me shku me bo ambasador dikush që baba i ka punu qoftë sekretar komiteti në një komunë ose tjetër. E di që për disa këtu është diçka që nuk duhet me thanë, por krejt të këqija i kanë ardh Kosovës prej tyre”, tha Haliti.

Ndërkaq, anëtarja e këtij komisioni nga VV’ja, Fitore Pacolli tha se nëse ky diskurs diskutimi vazhdon, do të detyrohen ta lëshojnë sallën.

“Kryetar, nëse vazhdon një diskutim i tillë, ne detyrohemi me lëshu sallën dhe me lanë pa kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është puna e ministres që po raporton e jo çështje personale të juaja”, tha Pacolli.

Tutje, ka reaguar kryetari i Komisioni Haki Abazi, duke thënë se secili ka të drejt t’i shpreh mendimet e veta.

“Veç pak, veç pak. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vet. Mendoj që demokraci parlamentare. Z.Haliti i ka mendimet e veta. Është deputet i Parlamentit. Mundemi me gjetë rastin dhe me ju përgjigj për ato që janë për t’u përgjigjur këtu, edhe në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e një deputeti të ketë shtruar çështja që mund të jenë çështje e brengosjes së tij apo të saj, ose edhe të anëtarësisë. Kështu që kërkojë mirëkuptim për punën e adresimit prej zonjës Pacolli, znj. Time Kadrijaj që e kërkoi fjalën”, ka thënë Abazi./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë