Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, reagoi ashpër lidhur me heqjen e masave të Bashkimit Europian, duke akuzuar drejtuesit institucionalë për mungesë përgjegjësie gjatë periudhës së zbatimit të tyre, transmeton Gazeta Metro.
Sipas tij, për vite me radhë vendi u përball me pasoja ekonomike, ndërsa fondet e konsiderueshme nga BE-ja mbetën të bllokuara.
“Nuk mori përgjegjësi askush për sanksionet financiare të BE-së që qytetarët e Kosovës i vuajtën prej mesit të vitit 2023 deri në fillim të vitit 2026. U bllokuan fonde të BE-së prej qindra milionë eurosh në këtë kohë. Tash po kërkojnë merita për heqjen e sanksioneve”, shkroi Hamiti.
Ai theksoi se, ndonëse pasojat u ndjenë nga qytetarët, tani po bëhen përpjekje për përfitim politik nga zhvillimet e fundit./gazetametro.net