Kryetari i PDK-së dha një paralajmërim të qartë para disa ditësh për të gjithë kandidatët që mund të jenë përfshirë në manipulimin e numërimit të votave për deputetë. Deri më tash, një numër jo i vogël i kandidatëve nga kjo parti kanë humbur mijëra vota, shkruan Gazeta Metro.
Bedri Hamza ishte i qartë në paraqitjen e fundit televizive se manipuluesit nuk do të kursehen nga partia. Ai tha se kushdo që zbulohet se ka vjedhur vota, duhet ta refuzojë mandatin e deputetit.
Së paku dy kandidatë të cilët janë në mesin e deputetëve të zgjedhur të PDK-së, Nait Hasani dhe Kujtim Gashi, kanë humbur mijëra vota nga procesi i rinumërimit në Prizren.
Në total, Nait Hasani ka humbur 3 mijë e 335 vota deri më tash, ndërsa Kujtim Gashi i ka 2 mijë e 426 vota më pak sesa ishte paraqitur fillimisht nga komisionerët.
Nëse nuk pranojnë të tërhiqen, Hamza siguroi se PDK-ja do të distancohet nga kandidatët që kanë manipuluar me vota./gazetametro.net