Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, kritikoi ashpër tentativën e Qeverisë Kurti për të kontrolluar çmimet përmes masave administrative, përcjell Gazeta Metro.
Sipas tij, vendosja e “çmimeve tavan” pa një analizë të mirëfilltë ekonomike nuk i ul çmimet, por mund të shkaktojë krizë furnizimi dhe mbyllje të linjave të prodhimit.
Hamza sqaroi se nëse shteti detyron një biznes të shesë nën koston e prodhimit, pasojat do të jenë të menjëhershme, tregtarët do të largohen nga ai produkt dhe prodhuesit do të ndalin punën.
“Mos të krijohet përshtypja që qeveria, përmes një mase administrative, pa bërë shumë veprime të tjera, mund t’i ulë çmimet. Për shkak se nuk mund ta detyrosh një ndërmarrje me punu me humbje. Nëse ti e cakton çmimin e një produkti që prodhohet në një ndërmarrje nën koston e atij çmimi, ajo ndërmarrje do ta ndërpresë prodhimin. Nëse ti vendos çmim nën koston e atij produkti apo me një marzhë më shumë se minimale dhe s’ia lejon që ndërmarrja të fitojë edhe t’i mbulojë shpenzimet e veta operative, tregtarët nuk e tregtojnë atë produkt, largohen prej atij produkti. Unë jam kundër spekulimeve në treg, kundër abuzimit në situata të caktuara, por këtu duhet pasur një ligj të mirë, mirë i specifikuar dhe duhet me pasë kapacitete zbatuese të ligjit”, tha Hamza në Klan Kosova./gazetametro.net