I pari që zaptoi, rrethoi një terren dhe lajmëroi duke thënë: ‘Kjo është e imja’ dhe gjeti njerëz të thjeshtë për t’a besuar këtë, ishte themeluesi i vërtetë i shoqërisë civile. Se krimet, luftërat, vrasjet, varfëritë e tejskajshme dhe tmerret nuk i kursyen aspak llojit njerëzor, atë që duke shkulur gardhet dhe duke mbushur boshllëkun e gropave, i bëri thirrje të ngjashmëve të tij: ‘Mos e dëgjoni këtë mashtrues, jeni të humbur nëse harroni që frutat janë të të gjithëve dhe se toka nuk i përket askujt’!”
Jean-Jacques Rousseau
Prona private kultivoi egon, zilinë dhe deshirën për të pasur më shumë, kjo pastaj rezultoj që të fortët të shfrytëzojnë të dobëtit, cka edhe lindën pabarazitë dhe konfliktet! Si pasojë e kësaj do të krijohej nevoja e vendosjes së paqes ndërmjet njerëzve, andaj u krijua edhe shteti dhe drejtësia.
Shkruan: Arch.Shpëtim Berisha
Hapësira publike do të ishte sinonim i parafrazës së mendimit filozofik të Jean-Jacques Rousseau “Mos e dëgjoni këtë mashtrues, jeni të humbur nëse harroni që frutat janë të të gjithëve dhe se toka nuk i përket askujt’! Këtu hapësira publike mundohet t’a vendosë paqen në mes të njerëzve, duke e rikthy primatin njerëzor në origjinën e fillimeve të tij, ku toka nuk i përket askujt dhe është e të gjithëve! Fjala publike nga latinishtja do te thotë: I përket popullit, që është i hapur për të gjithë, që mund t’a përdorë kushdo, etj. Nga kjo më lartë le për të kuptuar që hapësirat Publike juridikisht, kanë referencë njerëzit, gjegjësisht popullatën, ku ato i shfrytëzojnë me të drejtë të plotë por pa i dëmtuar ato si dhe pa iu cenuar askujt e drejta, personaliteti si dhe siguria gjatë kohës sa është në shfrytëzim nga ai person.
Kur shikohet kjo paradigmë, atëherë e vërejmë që Hapësira publike nuk është komponentë edhe aq e thjeshtë sa që duket në shikim të parë, pasiqë në të zhvillohet një sekuencë e plotë e përjetimit jetësor dhe si e tillë jep impulse në jetën tone, duke na u bërë pjesë e narrativës sonë jetësore! Pra, rëndësia e këtyre dy komponenteve Hapesirë dhe Publike, është e madhe si në aspektin psikologjik ashtu edhe në aspektin sociologjik. Hapësira në vehte është një fenomen i gjallë nëse merret parasyshë që shfrytëzohet nga njeriu por edhe shoqëria në tërësi, kështu duke u bërë shumë e rëndësishme për jetën tonë dhe duke u bërë edhe pjesë e memories tonë kolektive me rëndësi kulturore dhe historike. Prandaj, gjatë planifikimit dhe projektimit urban do duhej të kishte një rëndësi të veçant trajtimi i hapësirave publike. Këtu Arkitektura ka një rol të veçant dhe të rëndësishëm në ansamblin e përbërjës së hapësirës publike, e cila në mënyrë interaktive strukturon përceptime direkte dhe indirekte me vet njeriun/shoqërinë, me fjalë të tjera ndërveprimi i arkitekturës me urbanizmin është i madh dhe permanent, duke na kujtuar që urbanizmi pa arkitekturë nuk mund të ekzistojë dhe anasjelltas.
Kjo tregon lidhshmërinë esenciale të këtyre komponenteve të cilat gjatë planifikimeve duhet të mendohet në spektër të gjërë dhe jo vetëm nga dimensioni përcaktues në njërën nga këto profile! Pothuajse të gjitha komponentet fizike janë për publikun duke filluar që nga sheshet, rrugët, trotuaret, parqet e deri tek strukturat arktektonike, por çështja ndryshon vetëm për nga mënyra dhe statusi i shfrytëzimit të saj.
Hapësirat publike janë hapësira përmbledhëse të determinuara për njeriun dhe shoqerinë në tërësi, ku mund të i shfrytëzoj ato brenda një kohe të caktuar. Forma reflektive e Hapësirave Publike gjatë përceptimit dhe përjetimit nga ana e njeriut është e një rëndësie të veçant dhe si e tillë duhet të ketë narracion të veçant, pasiqë ajo patjeter që do të jetë edhe indikator në memorien kolektive, si dhe pjesë e trashëgimisë së kulturës urbane ku zhvillohet jeta urbane me të gjitha komponetet e saja përcjellëse.
( Shpëtim Berisha është arkitekt kosovar)