Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas incidenteve të fundit në veri, ku u dogjën disa vetura të serbëve me targa ‘RKS’, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj në një postimi në Facebook ka thënë se këto ndodhi janë tregues serioz se mund të ketë skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri.
“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri, janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel”, shkroi Haradinaj.
Sipas Haradinajt, Kosova dhe Serbia duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit.
“Në të kundërtën angazhimi i jashtëzakonshëm i të gjitha palëve për këtë marrëveshje, do të mbetej përpjekje pa rezultat. Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme”, shkroi ai.
Në njoftimin e Policisë thuhet se pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin qytetarëve të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS). /gazetametro.net