Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas raportimeve se MPBZHR ka propozuar t’ua ulë subvencionet vreshtarëve. Gazeta Metro sot gjatë ditës ka raportuar lidhur me këtë çështje, gjë që ka ngjallur reagime të njëpasnjëshme, njëherë nga MPBZHR’ja e pastaj edhe nga vreshtarët, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj ka thënë se kjo është goditje e rëndë për vreshtarinë.
Haradinaj i ka kërkuar qeverisë të tërhiqet nga kjo dh emë tutje, të bëjë të kundërtën, duke rritur subvencionet për vreshtarët.
Ky është postimi i tij:
Vendimi i Qeverisë për zbritjen e subvencioneve direkte për vreshtarët, nga 1000 euro sa ishin, në vetëm 400 euro, është goditje e rëndë për vreshtarinë, sektor i cili edhe në kushte normale ekonomike operon me vështirësi.
Ky veprim i Qeverisë është prerje në besë ndaj premtimeve dhe pritjeve të vreshtarëve për rritjen e subvencionimit të premtuar.
I rekomandojmë Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë këtë vendim dhe të vendos të kundërtën, rritjen e subvencioneve për vreshtarët.
Vreshtaria është burim i jetës për më shumë se 4700 familje e gjithashtu potencial për rritjen e eksportit, andaj nuk duhet të shkurtohet përkrahja për ta!
RH. /gazetametro.net