Loading…
Haradinaj dhe Thaçi: 2 vite popullizem për bisedimet me Serbinë
  • Nga

  • UK LUSHI

  • 09/06/2019 | 21:28

Haradinaj dhe Thaçi: 2 vite popullizem për bisedimet me Serbinë

Ish-ushtari i UÇK’së i Batalionit të luftërave shqiptarë nga SHBA – “ Atlantikut”, Uk Lushi ka shkruar se që 2 vite Kosova gjendet në një bllokadë të madhe për arsye populiste, madje gjatë këtyre dy viteve Kosova ka ngecur në përfundimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje me Serbinë.


Ka gati dy vite që, direkt dhe indirekt, u kam kërkuar të gjithë liderëve politikë dhe partive politike në Kosovë të përfshihen në procesin e përfundimit të dialogut të shtetit të Kosovës me shtetin e Serbisë.

Mjerisht, më duhet të them publikisht që shumica prej liderëve nuk kanë treguar as trimëri dhe as aftësi politike që të sillen si shtetarë të naltë. Taktikat nuk japin rezultatet e strategjive. Vështrimi nga anash, vetëm duke kritikuar apo vetëm duke bërë sehir e pritur që të bëjnë gabim ata dhe ato që janë të përfshira, është zgjedhja më e dobët dhe me më të meta.

Kryeministri aktual Haradinaj vazhdon të përdorë metoda populiste dhe aplikojë taktikën e zhagitjes për t’u protagonizuar sikur me rastin e çështjes së demarkacionit të kufirit Kosovë-Mal i Zi. Thënë çiltërsisht, sikur me demarkacionin edhe me çështjen e përfundimit të punëve të mbetura me Serbinë Ramush Haradinaj mund të fitojë ndonjë votë naive, por Kosova do të humb kundrejt Serbisë sikur humbi me Malin e Zi: kohë, energji dhe konkretisht territor. Tarifa për mallrat e Serbisë, absolutisht e keqe për Kosovën, strategjikisht, tashmë ka kohë që është shndërruar në pretekst dhe leverixh të dobishëm për Serbinë dhe dëmtues për Kosovën. Haradinaj duhet ta kthejë tarifën në monedhë favori për Kosovën. Kryeministri gjithashtu nuk duhet të tundohet nga pritjet gjoja speciale që i bëhen apo mund t’i bëhen nga aktorë, pavarësisht sa të fuqishëm, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në rajonin e Ballkanit dhe dialogun shqiptaro-serb dhe të cilët Haradinajt miklimet ja bëjnë që ta ndikojnë dhe përdorojnë. Haradinaj lojalitetin primar e ka ndaj Kosovës dhe popullit tonë, lojalitet që nuk duhet të bëhet trambë as edhe, nëse e nevojshme, me humbje totale politike apo çfarëdo qoftë tjetër të udhëheqësit, ushtarit dhe njeriut të Kosovës– Ramush Haradinaj. Politikani Haradinaj, siç nuk mund thirret askush tjetër, nuk mund të thirret fare në kontributet e tij në luftën çlirimtare kur janë në pyetje interesat dhe e ardhmja më stabile dhe më e mirë e Kosovës.

Presidenti Thaçi nuk qëndron më mirë se kryeministri i Kosovës. Në vend se afrues dhe inkorporativ, Thaçi, në fakt, dy vitet e fundit ka vazhduar të provojë të jetë pronari i vetëm i procesit dialogues, shpesh, duke mos qenë transparent dhe duke shpërndarë dhelpërisht mjegull misterioziteti dhe sekrecie të kuloareve dhe kanaleve diplomatike dhe vendimmarrëse të shteteve të fuqishme, veçanërisht Washingtonit zyrtar. Hashim Thaçi duhet ta kuptojë që miliona dollarët që janë paguar për lobimin e interesave të Kosovës nuk duhet të jenë faturë për interesa të tij udhëheqëse, por pagesë ekskluzivisht për interesat e Kosovës. Presidenti Thaçi duhet të informoj detajisht krerët e skenës me propozimet, projektet dhe zhvillimet e procesit të përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi. Kur të dihet, analizohet, debatohet dhe peshohet çdo gjë, pozita dhe opozita, në bashkëveprim me Kuvendin, mund të çojnë vendimin final te sovrani në referendum.

Fatkeqësisht, totalisht indolentë dhe hiç më të mirë se presidenti dhe kryeministri nuk janë kallxuar as liderët më të fuqishëm të opozitës, Albin Kurti i VV-së dhe Isa Mustafa i LDK-së. Kryesisht vrojtuesë, me ndonjë fjalë nga trotuari, këta dy është dashur të jenë në ballë të oxhakut dhe me praninë e tyre aty të balansojnë Thaçin, Haradinajn dhe Ekipin Negociator, e sidomos ta shoqërojnë Thaçin në takime ku ai mund të shpërdorojë aksesin për avantazhe politike dhe që mund të prodhojë gabime që rezultojnë nga vaniteti.

Është e habitshme si lojtarët kryesorë të politikës në Prishtinë nuk ua ndien për logjikën elementare që zgjedhjet e reja nuk janë aspak zgjidhje lidhur me purgatorin ku jemi akoma me Serbinë. Edhe nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër dhe nëse opozita do t’i fitonte ato, asnjë fazë e përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi nuk do të mund të bëhet pa mbështetjen e shumicës absolute të spektrit politik, përfshirë opozitën e re apo të vjetër.

Prandaj pse zhagitja? Pse taktizimet meskine? Pse humbja e kohës dhe momentumit? Pse kacafytjet banale? Pse rrezikimi i vazhdimit të konfliktit Kosovë-Serbi, i cili dy zgjidhjet alternative përkundrejt një marrëveshje Kosovë-Serbi i ka ose status quo-n ose luftën, të dyja të këqija për Kosovën? Kujt i konvenojnë vonesat?

Aspak popullit dhe kthimit të fokusit te dështimet e kastave politike si fjala vjen korrupsioni, papunësia,…, ikja nga atdheu.

Liderë të Kosovës, dijeni, procesi i mbylljes finale të definimit të Kosovës dhe Serbisë si shtete është kashta juaj e fundit. Dilni nga uji të shpëtuar dhe me pak nder. As shpëtimin dhe as disa grimca nderi nuk do t’i arrini pa qenë bashkë në raundin e fundit me Serbinë më 2019. Kaq duhet të bëni për hir të fëmijëve tuaj, e për shkeljet dhe obligimet që nuk i keni kryer do të flasim dhe veprojmë më 2020.

Më të fundit
...
  • 25/08/2019 | 15:17
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë