Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet javën që vjen. Këtë e ka bërë të ditur kandidati për kryeministër i kolaicionit PAN, Ramush Haradinaj, pas takimit që pati me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
“Po besoj shumë shpejt, pra menjëherë në javën që vjen, sepse nuk kemi nevojë me hup shumë kohë. Janë ato procedurat e sekretariatit të Kuvendit që duhet t’i kryej, me i regjistru deputetët, por jam i interesuar mos me humbë kohë. Ju e dini interesimin tonë që edhe qeveria të votohet menjëherë, pra të mos vonohet”, u shpreh Haradinaj.
Megjithatë, sipas Haradinajt, nuk ka pasur dakordim për një datë.
“Nuk arritëm te një vendim i qartë, por ishte në atë interesim që me u pa me bisedu se kur dhe si do të mund të thirret seanca,” është shprehur Haradinaj për KTV-në.
Në takim pos Thaçit e Haradinajt ka pasur edhe akterë të tjerë politikë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Njëri nder ta ka qenë edhe Daut Haradinaj.
Sipas rregullores së punës të Kuvendit të Kosovës, kjo seancë e parë legjislative bëhet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature.
Më pas kryetari dhe Kryesia e Kuvendit e kaluar ftojnë kryetarët e partive që kanë hyrë në Kuvend për të biseduar mbi rendin e ditës së seancës konstituive./gazetametro.net