‘Aleanca qëndron edhe kur krejt tjerët dorëzohen’ është mesazhi drejtuar qytetarëve pas vizitës që Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj bëri në degën e AAK-së në Ferizaj, dhe në fabrikën e produkteve konditorike ‘Intervali’ që pretendon se ka rritur prodhimin prej se ka hyrë në fuqi taksa prej 100% ndaj produkteve serbe, shkruan Gazeta Metro.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka vizituar sot degën e AAK-së në Ferizaj aty ku nga sot fillon procesi i brendshëm zgjedhor, kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të AAK-së në facebook.
“Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një vizitë pune në Degën e Ferizajt. Me këtë rast, kryetari Haradinaj tha se është një mundësi e mirë që t’i shpreh respektin dhe përgëzimin për angazhimin në punë kryetarit të Degës z.Xhavit Zariqi, i cili siç tha z.Haradinaj, është një kryetar veprues dhe i denjë për të menaxhuar në mënyrën më të mirë me Degën e AAK-së nga Ferizaj.
Në takimin e mbajtur me strukturat e degës, z.Haradinaj shpalosi ndryshim-plotësimet e statutit të AAK-së dhe konsideroi lartë vullnetin e strukturave për të implementuar zgjedhjet e brendshme të Degës e më pas të delegojnë votën e tyre në konsolidimin dhe zgjedhjen e Këshillit Drejtues të AAK.
Kryetari i Degës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, tha se ishte kënaqësi që sot kryeministri Haradinaj ishte në Komunën e Ferizajt me të cilin tha se i biseduan hapur disa tema të rëndësishme për degën, qytetarët dhe komunën.
AAK-Dega në Ferizaj, që sot fillon procesin e brendshëm zgjedhor. Kryetari i Degës z.Zariqi dhe strukturat mbetën të përkushtuar që të implementojnë një proces të rregullt dhe demokratik. Përgjatë garës do të mbizotrojë pluralizmi dhe secili do të sfidon ambiciet për të qenë pjesë e organeve udhëheqëse të Degës.” thuhet në komunikatë
AAK-Dega Ferizaj, do ti nënshtrohet zgjedhjeve në 45 nëndegë të fshatrave dhe 10 nëndegëve të qytetit duke synuar konsolidimin e plotë të objektivizuar në reformë me njerëz të rinj dhe ide të reja.
Kryetari i AAK-së Haradinaj vizitoi edhe fabrikën e produkteve konditorike “Intervali”, e cila pretendon se që nga vendosja e taksës 100% ndaj produkteve serbe, ka rritur prodhimtarinë dhe numrin e punëtorëve, nga gjithsej 8 orë punë gjatë një dite në të kaluarën, tani punon në tri ndërrime./gazetametro.net