Loading…

Haradinaj qeverisi si VLAN’i edhe pse ishte Kryeministër i PAN’it

  • Nga

  • SHKODRAN RAMADANI

  • 20/08/2019 | 16:55

Haradinaj qeverisi si VLAN’i edhe pse ishte Kryeministër i PAN’it

Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj në zgjedhjet e kaluara kishte hyrë në koalicion me PDK’në dhe NISMA’n, duke formuar kështu PAN’in kolicionin PDK-AAK-NISMA, por qeverisi si Vetëvendosje, LDK, AAK dhe Nisma (VLAN).


Shkruan Shkodran Ramadani

Haradinaj vazhdimisht ka kopjuar VV’në dhe mjeshtërisht ka arritur t’i vjedhë kauzat e saj dhe t’i shndërrojë në politika shtetërore.

Ky imitim kishte filluar që në kohën e VAN’it kur organizoheshin protesta të dhunshme, kur bllokoheshin seancat parlamentare dhe gjuhej Kuvendi i Kosovës për të ndaluar ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Para kauzës së demarkacionit AAK’ja ishte parti që më afër e kishte mos-kalimin e pragut sesa të kalojë 10%-shin.

Mirëpo AAK-ja nga aty e mori hovin dhe e vuri veten në një pozicion të mirë politik ku do të mund ta joshte PDK’në që t’ia jepte postin e Kryeministrit. Ndërkombëtarët po ashtu të interesuar për të zhbllokuar ngërçin rreth demarkacionit e mbështetën atë. Me të hyrë në pushtet dhe me të marrë shumë resurse në dispozicion, AAK’ja vetëm u pajis me më shumë mekanizma për të vazhduar me politika të bllokadave.

Gjatë këtij mandati Ramush Haradinaj tregoi pak a shumë se si do të dukej Albin Kurti në postin e Kryeministrit dhe kjo e cenoi liderin e VV’së, i cili nga frika se Haradinaj po ia vidhte elektoratin, thoshte se: “Haradinaj është si unë kur bëhet fjalë për taksën, por si Thaçi për korrupsion”. Haradinaj e ka kultivuar një albinizëm-pa-albin. Haradinaj është shndërruar në dublues të Kurtit. Është një Albin me muskuj. Kryeneçësia e tij ka sjellur marrëdhëniet me ShBA-në në pikën më të ulët ndonjëherë që nga përfundimi i luftës.

5 vite më parë do të ishte e paimagjinueshme që një kryeministër i Kosovës të acaronte raportet me ShBA-në, ndërkohë që tani është normalitet dhe sjellje gjerësisht e pranuar. Konsensusi pro-amerikan i përket të kaluarës dhe asgjë më shumë sesa politikat e VV’së, të adoptuara nga AAK’ja e pjesërisht edhe nga LDK’ja, nuk i kanë ndihmuar kësaj.

Tani abnormalitet është bashkëpunimi me amerikanët dhe bashkërendimi i veprimeve me ta llogaritet si punë anti-kombëtare. Ardhja e Haradinajt në pushtet u ka dhënë dhëmbëzorë institucionalë përpjekjeve të dikurshme të VV’së nga opozita për të kundërshtuar çdo rekomandim që vjen nga ShBA’ja. Me Haradinajn, përveç protestave, lufta politike kundër ShBA-së tani ka në shërbim edhe makinerinë shtetërore.

Madje protestat i ka bërë të panevojshme. Tani punën e protestave po e kryen ai. Prandaj Kurti është i frustruar nga Haradinaj. Dikur politikë e margjinalizuar, refuzimi i ShBA-së tani është praktikë e konsoliduar institucionale dhe parim udhëheqës të Haradinajt. Kjo qasje dikur e shtrirë vetëm në Lëvizjen Vevetëvendosje, tani është metastazuar dhe është përhapur gati në gjithë skenën politike dhe VLAN’i e pastaj VAN-i është përçuesi kryesor i saj.

Në kohën kur partnerët ndërkombëtarë këmbëngulin që tarifa të pezullohet dhe dialogu të rifillojë, Kosovës i duhet një qeveri e re e përgjegjshme e cila di si t’u përgjigjet rrethanave aktuale. Para pak ditëve shtetet e Kuintit shkruan një letër ku kërkohet urgjentisht pezullimi i tarifës dhe rifillimi i dialogut. Detyra e parë e koalicionit të ri qeverisës është adresimi këtyre rekomandimeve sepse pa koordinim me këto vende, Kosova do të jetë e përhumbur.

(Autori është sociolog dhe analist i njohur politik. Ky artikull është i shkruar enkas për Metro)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë