Deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se Kosova nuk mund të jetë anëtare e NATO-s pa pasur ushtrinë e saj.
“Nuk mund të jemi anëtarë të NATO’s duke mos pasë ushtri. Transformimi duhet të ndodhë”, ka thënë Haradinaj, përcjell gazetametro.net
Këto deklarime ai i bëri në fjalën e tij të mbajtur në konferencën “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë?”, e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë e cila është duke u mbajtur në këto momente.
Aty përveç Haradinajt, të pranishëm janë edhe : Haki Demolli, ministër i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës; Kadri Kastrati, ish-komandanti i FSK-së; Vjosa Osmani, deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës; deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.
Kjo tryezë ka për qëllim të mbledhë akterët kryesorë për të diskutuar të ardhmen e FSK-së, si dhe duke sjellë një numër të politik-bërësve, studiuesve, akademikëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për të diskutuar alternativat për transformimin e FSK-së, konsensusi politik për transformimin e FSK-së, sfidat që do të përcjellin institucionet e sigurisë në këtë proces, si dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë në transformim por edhe në ngritje të kapaciteteve. /gazetametro.net