“Mbretëresha e Sunny Hill Festival” është rikthyer. Me këtë frazë e nis Harper’s Bazaar artikullin kushtuar Dua Lipës, duke vlerësuar rikthimin e saj në Prishtinë dhe paraqitjet e saj të veçanta në festivalin që ajo themeloi së bashku me familjen e saj.
Revista prestigjioze i kushton vëmendje jo vetëm performancës së yllit botëror, por edhe stileve të saj të guximshme që tërhoqën vëmendjen gjatë netëve të festivalit.
Në natën e parë, Dua iu bashkua publikut në turmë për të përjetuar nga afër atmosferën dhe performancën e Katy Perry, duke u shfaqur me një fustan mini metalik të markës Rabanne, i krijuar tërësisht nga zinxhirë metalikë. Veshja kishte një prerje elegante pa mëngë dhe një fund të shkurtër të zbukuruar me detaje voluminoze me motive lulesh 3D. Ajo e kombinoi me çizmet e saj të preferuara të zeza prej lëkure, të cilat i shoqëruan gjatë gjithë festivalit, transmeton Klankosova.tv.