Martesa me mesit ishte dukuri e shprehur shumë në Kosovë para viteve të 90-ta. Por gjërat ndryshuan me përfundimin e luftës.
Mesitët tani janë ‘zhdukur’ në shumë vendbanime në Kosovë, por jo edhe në rajonin e Hasit. Në këtë rajon martesat vazhdojnë të lidhen përmes mësitëve. E çmimi duket të jetë i lartë.
Një hasian duhet të djersitet shumë për t’i siguruar parat për ta ‘blerë’ një nuse.
“Nëse nuk ke para ki me mbet pa u martua”, e nis rrëfimin e tij për ORAinfo një hasian, emër i njohur për redaksinë.
Ai tregon se qysh familjarët e vajzave hasiane i shesin me para vajzat e tyre. “Nga 4 mijë deri në 7 mijë euro paguhet blerja e një femre hasiane. Ky është kushti i familjes së çikës për mikun e ri”, tregon ai.
Sipas tij, kjo dukuri po vazhdon tash e një kohë dhe është me e shprehur tek fshatrat me të thella të këtij rajoni. Përveç dhënies së parave të familjes së vajzave, miku është i obliguar të paguajë edhe mësitin.
Shuma për një mesitni sillet nga 500 deri në 1500 euro. Ky banor hasian shprehet shumë i shqetësuar me këtë dukuri e cila është në rritje në këtë rajon. Sipas tij, ka raste kur babai i djalit paguan shuma të mëdha parash për ta blerë nusen pa dijeninë e djalit.
“Kam qenë dëshmitar kur babai i një djali ka paguar rreth 5 mijë euro për ta bërë djalin e tij me nuse, ndërsa djali i tij nuk ka qenë në dijeni për këtë pagesë”, rrëfehet ky hasian.
Ai tregon se familjet në këtë rajon e konsiderojnë si blerje të vajzave dhënien e 5 mijë eurove, por më shumë si adet. Sidoqoftës, ai bën apel që të ndërpritet kjo traditë e martesave më para, pias sipas tij, po ia zbehë imazhin rajonit të hasit.
Nga ana tjetër, sociologët vlerësojnë se kjo dukuri po ndodh për shkak të izolimit të banorëve më raport me qytetarët tjerë të Kosovës.
Sociologu Leutrim Sahiti thotë për ORAinfo se disa pjesë të Kosovës që kanë qenë më të izoluara dhe më të mbyllura sa i përket raporteve me qytetarët e pjesëve tjera, duke arritur të ruajnë traditat e tyre dhe të krijojnë rregulla të veçanta për atë grup.
“Ky fenomen nuk është pjesë e kulturës sonë, por është keqtrajtim i vajzave në këtë rast dhe kjo bie ndesh me ligjin dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka spejguar Sahiti.
Sipas tij, ky fenomen është shfaqur si pasojë e kushteve të rënda ekonomike dhe gjykimit që kanë njerëzit për vajzat në familje, të cilat shihen vetëm si ngarkesë dhe jo si shtyllë e familjes.
“Prandaj në raste kur kanë lindur fëmijë të gjinisë femërore trajtimi për to ka qenë ndryshe nga ai për fëmijët e gjinisë mashkullore, dhe ky paragjykim i ka përcjellë vajzat gjatë gjithë jetës duke iu pamundësuar liria e shprehjes, e vendimmarrjes në familje, e drejta në pronë etj”, ka thënë Sahiti për ORAinfo.
Ai thotë se kulmi i këtij keqtrajtimi është edhe “shitja” e tyre për para, ku vajzat shihen si mjet për pasurimin e familjes. “Pra ajo konsiderohet si e pavlerë dhe e parëndësishme në familje saqë familja nuk interesohet se ku ajo martohet, por vetëm persoi që martohet me të a paguan shumën që familja e saj i kërkon në këmbim të vajzës”, është shprehur Sahiti.
Sipas tij, raste të tilla tani në Kosovë ka fare pak, prandaj ka kërkuar që këto raste të raportohen në organet e rendit. “Ne si shoqëri duhet të ndihmojnë në vetëdijesimin e qytetarëve që të respektojnë të drejtat e femrave dhe ti trajtojnë ato si të barabarta duke ia lënë secilit individ vet të vendosë se më kënd dëshiron të krijojë familje”, ka thënë Sahiti.
Kujtojmë që rajoni i Hasit ka mbi 30 fshatëra, dhe një pjesë e banorëve të këtij rajoni vazhdojnë të ruajnë traditën e të parëve, duke lidhur martesat me mësitëni, traditë e cila në pjesën me të madhe të Kosovës është zhdukur pas përfundimit të luftës së fundit.