Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ftuar gratë që ta raportojnë dhunën, teksa ka premtuar se do të ketë edhe reforma të thella në Qendrat për Punë Sociale.
Haxhiu ka thënë se është e shqetësuar lidhur me këtë fenomen që është duke e rrënuar shoqërinë e ku ka përmendur edhe rastet e fundit të vrasjeve.
“Ne mbesim të shqetësuar me një fenomen që po e shkatërron shoqërinë tonë, pra që ka pasoja të rënda për qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti për vajzat edhe gratë dhe që është dhuna në familje, dhuna në baza gjinore dhe kur jemi këtu, vetëm në ditët e fundit Brenda 5 ditëve dy gra u vranë nga bashkëshortët e tyre dhe rasti i fundit ishte një rast jashtëzakonisht i rëndë, ku në dyer të repartit të Gjinekologjisë, u vra në mënyrë mizore gruaja dhe foshnja që priste ta sillte në jetë nga ish-bashkëshorti i saj. Pra, pavarësisht strategjive, ligjeve, dokumenteve që kemi hartuar duket që angazhimi ynë duhet të jetë edhe më i fortë dhe më i fuqishëm në mënyrë që djemtë dhe burrat ta respektojnë dinjitetin e jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës.”, tha ajo për kp.
Më tej, Haxhiu ka thënë se gratë kanë një rol të jashtëzakonshëm të raportimit të dhunës dhe ka ftuar ato që ta raportojnë atë.
“Unë këtu ju bëj thirrje juve para se të dalë te dokumenti që kemi hartu dhe puna që duhet të bëhet, për ta hapur pastaj edhe debatin se mendoj që mund të keni edhe pyetje, sugjerime se çka mund të bëhet më ndryshe më shumë, keni rol të jashtëzakonshëm në kuadër të raportimit edhe parandalimit. Pra, edhe kur jeni dëshmitarë që po ndodhë dhuna në familje, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta raportoni atë.”, u shpreh ajo.
Haxhiu ka thënë se rastet e dhunimit janë alarmante dhe se ka ndryshime në Kodin Penal lidhur me dhunuesit.
“Deri tani kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, kemi miratu protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale dhe po ua jep vetëm një informacion, nga janari deri tani, në raport me dhunimet seksuale 80 për qind e tyre janë ndaj vajzave të mitura apo të miturve në përgjithësi. Pra, kjo është një gjendje alarmante se pse ne pastaj nuk po kemi siguri se ku po shkojnë fëmijët tanë, shkon në shkollë, del me lujt, shkon me ble diçka, domethanë ti në vazhdimësi je në shqetësim në qoftë se do t’i ndodhë diçka fëmijës… E tash së fundmi kemi miratu në Qeveri ndryshimet në kodin penal që dhunuesit mos me pasë drejt me u punësu për një kohë të caktuar, që dhunuesit mos me pasë drejt me qenë në listat e kandidatëve, qoftë në nivelin lokal, qoftë në nivelin qëndror, që emrat e dhunuesve do të publikohen në ëebfaqen e institucioneve të Republikës së Kosovës, që hetimet ndaj këtyre rasteve do të përfundohen për një periudhë brenda një viti dhe poashtu që ndaj personave të tillë do të shqiptohet masa e paraburgimit. Pse po e përmend këta, vetëm rastin e fundit që përfundoi me fatalitet, gruaja në kokrrik të këtij viti e kishte raportuar rastin në Polici, por prokurori e kishte lëshuar në procedurë të rregullt. Po të ishte ai person në paraburgim, mendoj që megjithatë, do të mund të parandalonim situatat me fatalitet siç edhe ndodhi para pak ditësh.”, tha ajo.
Tutje, Haxhiu ka thënë se Qendrat për Punë Sociale kanë pak kapacitete njerëzore dhe profesionale dhe se ata duhet t’i nënshtrohen një reforme të thellë.
“Ne jemi duke planifikuar që Qendrat për Punë Sociale nga janari me pasë një reformë të thellë te Qendrat për Punë Sociale, sepse duket që të njëjtat kryejnë shumë shërbime, por realisht kanë shumë pak kapacitete njerëzore dhe profesionale. Ato në fakt janë dera e parë si me thënë, ku viktima troket. Prandaj, edhe duhet edhe Qendrat për Punë Sociale, sikurse ndoshta do të diskutojmë bashkarisht edhe për një strehimore që strehon viktimat e dhunës në familje, këtu në komunën e Podujevës.”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë se rastet gjithnjë duhet të raportohen pavarësisht besimit të ulët që qytetarët e kanë në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë.
“Në fakt pyetje me vend, pse duhet të raportojmë kur institucionet s’po e kryejnë punën e tyre. Pyetja është me vend, por përgjigja ime është gjithnjë duhet të raportoni, pavarësisht besimit të ulët që qytetarët kanë në institucionet e drejtësisë apo të sigurisë, sepse përmes përpjekjes tonë për luftimin e dukurive negative dhe përmes raportimeve të rasteve të dhunës në familje, ne përveç që e mbrojmë veten dhe tjetrin nga kjo dukuri, po ashtu, bëjmë që institucionet të cilat nuk e kryejnë detyrën e tyre, të kërkojmë largimin e njerëzve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”, shtoi tutje Haxhiu.
Këto komente i ka bërë gjatë vizitës në komunën e Podujevës. / Gazeta10