Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka dhënë kontratë për “Shërbime të autolarjes të veturave zyrtare” për nevojat e institucionit, në vlerë prej 6,598.09 euro, shkruan Gazeta Metro.
Me të marrë rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu duket se ka nisur një “pastrim” të gjithanshëm në Zyrën e Presidencës. Jo vetëm në kuptimin figurativ, por edhe në atë praktik.
Në përpjekje për të rregulluar gjithçka që ka gjetur nga koha e Vjosa Osmanit, duket se fillimi ka qenë nga gjërat më bazike, veturat zyrtare dhe mirëmbajtja e tyre.
Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka dhënë kontratë për “Shërbime të autolarjes të veturave zyrtare”, duke siguruar që e gjithë eskorta e veturave të jetë e pastër dhe e mirëmbajtur për një periudhë dyvjeçare.

Kontrata është dhënë më 5 maj 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 6 maj.
Në këtë tender kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë, me fitues që rezulton kompania “GURI-2 SH.P.K.” nga Prishtina.
“Shërbime të autolarjes të veturave zyrtare, për nevojat e ZPRK-ës IV.1) Data e dhënies së kontratës 05.05.2026 . IV.2) Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 06.05.2026. Numri i tenderëve të pranuar: 3 IV.4) Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata GURI-2 SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 6,598.09 euro”.

Sipas specifikave të kontratës, shërbimet përfshijnë një numër të konsiderueshëm të larjeve për automjetet zyrtare: 650 larje për 15 vetura, 450 larje për 5 xhipa, si dhe 50 larje për një kombibus.
Përveç kësaj, janë paraparë edhe 20 larje speciale, të cilat përfshijnë pastrim të brendshëm me avull, larje të motorit, shkëlqim të pjesëve plastike dhe trajtim për mbrojtjen e ngjyrës së automjeteve./gazetametro.net
