Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat kundër koronavirusit, ku deri tash në këtë qytet janë infektuar rreth 1147 persona, shkruan Gazeta Metro.
Haziri përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se në komunën që ai drejton nga virusi kanë vdekur 48 persona.
“Në ditën e 220 të përballjes me #COVID19 në Gjilan u shënuan 20 raste të reja pozitive. Brenda 7 muajve, gjendja e përgjithshme është kjo: 1147 të infektuar, 990 të shëruar, 109 raste aktive, 48 të vdekur, 14 në hospitalizim dhe 103 mostra në pritje”, shkroi Haziri në Facebook.
“Ju lutem shumë, të reagojmë me përgjegjshmërinë më të lartë kundër infeksionit. Përndryshe, virusi nuk të pyet kush je. Të bën për kujdes intenziv nëse nuk kujdesesh dhe mund të të marrë me vete!”, shtoi ai./gazetametro.net