Haziri flet për votat e LDK-së në Gjilan Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri shprehet optimist se nëse nesër mbahen zgjedhjet lokale, Gjilanin e fiton LDK-ja, transmeton Gazeta Metro.
Këto deklarata Haziri i dha në emisionin “Argument Plus”, në RTV 21, ku ndër tjerash foli edhe për zhvillimet e fundit dhe takimin e parë të grupeve punuese LVV – LDK.
Duke folur për votat në Gjilan që mori LDK-ja në këto zgjedhje parlamentare, ku VV-ja qëndron me 5 mijë vota më shumë se LDK-ja, Haziri bëri një krahasim me vitin 2017, ku në Gjilan ka prirë Vetëvendosje. Sipas tij, edhe në vitin 2017 ka qenë trendi i njëjtë se në zgjedhje parlamentare ka fituar VV-ja.
Mirëpo, shprehet i bindur se në Gjilan në zgjedhje lokale do të fitojë LDK-ja. “Në zgjedhje lokale LDK-ja e ka fitoren e sigurt, gjithmonë e ka pasur. Nesër nëse mbahen zgjedhjet lokale, i fiton LDK-ja në Gjilan.
Në Gjilan 5 deputetë i ka fituar LDK-ja me 13 mijë vota, 2 deputetë do t’i fitojë Vetëvendosja me 17 mijë vota. LDK-ja është partia e vetme që ka kandiduar me 5 deputetë dhe do t’i ketë 5 deputetë nga Gjilani, kurse Vetëvendosje ka kandiduar me 11 deputetë dhe do t’i ketë vetëm dy”, tha ai. Ndryshe, sot u mbajt takimi i parë i grupeve punuese të VV-së dhe LDK-së. Në këtë takim u arrit pajtueshmëria lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Takimi i radhës është paralajmëruar për të mërkurën pasdite.