Në kuadër të nismës “Jo në emrin tim”, para Kuvendit të Kosovës është zhvilluar një aksion protestues, ku është vendosur një pankartë me mbishkrimin “Ligji për mbrojtjen e UÇK-së”.
Në pankartë janë renditur emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të ndarë sipas qëndrimeve të tyre lidhur me çështjen e UÇK-së dhe nismën për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit për Dhomat e Specializuara.
Për këtë aksion ka folur organizatori i protestave, Çlirim Haziri, i cili u bëri thirrje deputetëve të mblidhen sa më shpejt dhe të votojnë ndryshimet e kërkuara në legjislacionin për Dhomat e Specializuara.
“Sot kemi vendosur këtu një baner para Kuvendit të Kosovës, ku i kemi paraqitur të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës. Janë të ndarë deputetët që presim ta votojnë ligjin për UÇK-në”, tha Haziri.
Ai theksoi se organizatorët presin që ligji të votohet sa më shpejt, sepse UÇK është mbi çdo parti politike.
“Presim që ligji të votohet, ligji duhet të votohet sa më shpejt. Ne i dimë detyrimet kushtetuese të këtij parlamenti”, u shpreh ai.
Ai kërkoi gjithashtu që të thirret një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku do të shqyrtohej dhe votohej nisma për ndryshimin e legjislacionit për Dhomat e Specializuara.
“UÇK-ja nuk është e partive politike, është e popullit. Ju jeni deputetë të zgjedhur nga populli dhe keni detyrim moral e ligjor ndaj popullit që të reflektoni për kërkesat e tyre. Të thirret një seancë e jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, dhe të votohet ligji”, tha mes tjerash Haziri.