Loading…

Haziri: S’ka zgjedhje të jashtëzakonshme

  • 07/11/2016 | 13:55

Haziri: S’ka zgjedhje të jashtëzakonshme

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri në një intervistë për Metro, thotë se nuk pret zgjedhje të jashtëzakonshme, duke shtuar se “zgjedhjet nuk janë rruga dalëse për krizën aktuale politike”.

Sipas Hazirit Kosova e ka ruajtur vitin kalendarik zgjedhor.

“Në vitin e ardhshëm, në tetor janë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet parlamentare janë vetëm gjashtë muaj pas atyre lokale, pra në qershor 2018” ka theksuar Haziri.

Ndryshe, i pyetur rreth kandidimit të tij të mundshëm për kryetar të LDK’së në zgjedhjet e ardhshëshme, Haziri nuk ka komentuar shumë. Por ai e bënë të ditur se më nuk do të kandidojë për Kryetar të Komunës së Gjilanit.

METRO: Si e vlerësoni punën e përgjithshme të koalicionit qeverisës, arritjet dhe ngecjet gjatë kësaj periudhe?

Lutfi Haziri: ‘Koalicioni i Elefantëve’ arriti objektivat e veta brenda vitit kalendarik që po flasim. Meqë është koalicion i bazuar në program qeverisës, me vetë faktin që kemi shifra dhe trende pozitive edhe të rritjes ekonomike, përkundër vlerësimit të ulët që ndodhë, por edhe rritjes së buxhetit në mbi 2 miliardë euro, tregon qartë që programi qeverisës është në zbatim e sipër.

Objektivat tona, edhe sa i përket integrimeve euro-atlantike, edhe sa i përket politikave sociale, rritjes së pensioneve, zgjidhjes së problemit të kategorive të dala nga lufta, infrastruktura në Republikën e Kosovës, përfshirja edhe e autodtratës së fundit Gjilan-Prishtinë dhe ndërtimi i saj, tregon qartë se kjo qeveri ka treguar disiplinë të ashpër buxhetore dhe masa lehtësuese për biznesin dhe ekonominë vendore dhe në anën tjetër ka inkurajuar investimet e huaja.

Por, ka qenë e ngulfatur jashtëzakonisht shumë nga opozita, në dy temat që tashmë kanë mbetur në ajër, demarkacioni dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Opozita ka qenë jashtëzakonisht agresive në kuptimin politik dhe në kuptimin e masave që ka zbatuar deri në pengimin e debatit në seancë, gazi lotsjellës, koktej molotovi dhe atakimi i pronës private.

Natyrisht, ka qenë periudhë e rëndë dhe nuk i ka lënë qetësi qeverisë që t’i realizojë objektivat. Por, besoj që nëse rekapitulohet në përgjithësi, trendet janë pozitive të arritjes së kësaj qeverie.

METRO: Kur mendoni se duhet të organizohen zgjedhjet dhe ai i shihni sikur zgjidhje të disa bllokimeve në proceset politike, si demarkacioni, asociacioni i komunave në Veri, liberalizimi i vizave etj?

Lutfi Haziri: Nuk janë zgjedhjet rruga dalëse. Përfundimisht, Kosova e ka ruajtur kalendarin zgjedhor. Në vitin e ardhshëm në tetor janë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet parlamentare janë vetëm tetë muaj pas atyre lokale, pra në qershor 2018.

Qeveria po punon në rikonfigurimin dhe rishikimin funksional të strukturave të saj. Po presim një rrudhje të qeverisë në kuptimin e numrave, resoreve dhe funksioneve dhe në anën tjetër besoj shumë që do të punohet edhe në rishikimet e zyrave, drejtorive, agjencive dhe institucioneve që janë në varshmëri të qeverisë dhe Kuvendit, në mënyrë që të ulen shpenzimet dhe të definohen detyrat qartë brenda qeverisë si strukturë.

Detyrimisht, duhet të bëhet një qeveri me ligj, e cila në kuptimin funksional e di sakt kush çfarë detyre kryen.

METRO: A do të kandidoni për kryetar të LDK-së dhe cilat janë pritjet tuaja?

Lutfi Haziri: Për kryetar të Komunës nuk do të rikandidoj sepse është mandati im i tretë brenda 16 viteve në Gjilan. Unë jam nënkryetar i LDK-së dhe nuk kam asnjë qëllim apo angazhim tjetër jashtë ushtrimit të detyrës sime si nënkryetar i partisë.

METRO: Ku e shihni LDK-në të ardhmen?

Lutfi Haziri: Parti e parë, definitivisht. Rikthimi i madh i LDK-së do të ndodhë. Praktikisht, jemi në prag të 10-vjeçarit të parë që LDK i ka humbur zgjedhjet në mënyrë të dhimbshme, jo si pasojë e humbjes së besimit, por si pasojë e çarjes së saj në Kuvendin e nëntorit të vitit 2006. Është koha që LDK të rikthehet si partia e parë dhe këtë rikthim po e presin me padurim anëtarësia jonë. Ky rikthim i besimit në LDK do të ndodhë.

METRO: A mendoni se ka hapësirë për ndonjë subjekt të ri. Cilat janë partitë që ju i shihni si partner të mundshëm për qeverisje?

Lutfi Haziri: Është bërë trend në Kosovë që në prag të çdo zgjedhjeve të kemi iniciativa, grupime e parti të reja politike. Nëse e shohim të kaluarën e afërt, janë themeluar shumë parti dhe nuk kanë arritur t’i mbijetojnë skenës politike në Kosovë.

Iniciativa më e re e Ilir Dedës dhe Mimoza Kusarit po mirëpritet në skenën politike. Natyrisht, duke qenë nënkryetar i një partie të madhe, e cila ka 27 vjet në skenën politike, e mirëpresim çdo iniciativë.

Por, ambienti politik është ai i cili në Kosovë determinon qartë. Nuk po shoh diçka risi apo të veçantë që po ndodhë në prag të zgjedhjeve, përkundër iniciativave që po dalin. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë