Problemi i hekurudhave dhe qarkullimit të trenave mes Kosovës dhe Serbisë s’ka qenë asnjëherë temë e dialogut të zhvilluar në Bruksel. Problemi i ardhjes së treni në Kosovë nga Serbia bie mbi përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit të Hekurudhave të Kosovës.
Asnjë urdhër nuk është dhënë nga Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe as nga Ministria e Infrastrukturës për të ndalur trenin, i cili pritet që pasdite të hyjë në Kosovë.
Çështja e hekurudhave dhe hyrjes së ndonjë treni nga Serbia në Kosovë asnjëherë s’ka qenë pjesë e dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Pavarësisht kësaj, Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka kërkuar reagim të BE’së për provokimin që ka bërë Serbia duke e nisur një tren me simbole kishtare e zyrtarë serbë në drejtim të Kosovës.
Express ka provuar të kontaktojë me Ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, por asnjëri s’ka folur.
As zyrtarët e Hekurudhave të Kosovës s’kanë dhënë asnjë koment lidhur me trenin serb.
Krejt në heshtje po vazhdojnë të jenë edhe Kryeministri Isa Mustafa, Presidenti Hashim Thaçi e Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Asnjëri prej këtyre tre udhëheqësve shtetërorë s’e ka thënë një fjalë për trenin.