Loading…

Historia e Avdyl Gegës nga Korisha: Luftoi me ariun për ta mbrojtur djalin e hasretit

  • 20/04/2018 | 12:52

Historia e Avdyl Gegës nga Korisha: Luftoi me ariun për ta mbrojtur djalin e hasretit

Pas vetës mban gjithmonë një sëpatë. Me të fle e madje edhe rruan mjekrën. Por për gjithë këtë punë, plaku nga Korisha e Prizrenit thotë se e ka një histori të veçantë. Me atë sëpatë ai para disa viteve e mbyti një arushë. Këtë veprim thotë se e bëri për ta mbrojtur djalin i cili i erdhi në jetë pas më shumë se 60 viteve martesë. 


Në hyrjen e shtëpisë së plakut 81-vjeçar, Avdyl Gega, gjendet një pikturë me dimensione disametërshe, e cila ka një histori të veçantë. Në të shihet një malësor, një fëmijë rreth moshës 10 vjeç si dhe një arushë. Të gjithë mysafirët që ia mësyjnë shtëpisë së Gegës pyesin për domethënien e asaj pikture e cila ka disa dekada që gjendet aty.

Ishte qershori i vitit 2007 kur Avdyl Gega tashmë 81 vjeç e mori djalin e tij, Ylberin, atë kohë 10 vjeç, për ta shëtitur dhe për t’i treguar trojet e paraardhësve të familjes Gega në malet e Korishës. Por ecja në shtigjet e atij fshati gati sa nuk doli të jetë fatale për Avdylin.

E gjithë drama, siç plaku nga Prizreni e quan, nisi kur disa gjuetarë kishin shtënë me pushkë në drejtim të arushës. Në atë moment plaku nga Korisha ishte brenda malit bashkë me djalin e tij të vetëm. Ai thotë se në ato momente e pa me sytë e tij vdekjen.

“Pas më shumë se 60 viteve martesë ma fali Zoti një djalë. Në qershor të vitit 2007 me mëngjes e mora djalin me e çu në mal e me i tregu se ku i kanë pas trojet gjyshërit e stërgjyshërit. Kur dolëm, duke ia tregu trojet, kur kemi hy në Kabash i kemi dëgjua dy manxerre nga vendi ku është si xhehenem. Grykat e malit bën që në gjithë malin të dëgjohen ato të shtëna”, rrëfen i moshuari nga Prizreni.

Ai thotë se me tirqi në trup dhe me një sëpatë në krahë kishte marrë rrugën drejt malit.

“Arusha me dy këlyshë, nuk ka mujtë me i gjetë se prej ku kanë gjujtë ata. Ajo ka marrë ikën duke e lypë atë se kush e sulmoi. Unë me djalë isha ende në mal. Duke ardhë poshtë malit, i kisha dy qen me vete. Arusha na pa neve, edhe u mësy këtej ka ne. Unë i thashë Ylberit të fshihet pas një lisi. I thashë du me dal qatje, e ta mbyti arushën. Jo që desha me e mbytë unë arushën, po thashë më mirë le të më mbysë mu e të shpëtojë djali. Të paktën të shpëtojë një bimë e Avdyl Gegës”, thotë ai.

Tutje 81-vjeçari, Avdul Gega, tregon për momentin ku është ballafaquar me arushën. Thotë se ajo kishte qenë gjigante.

“Arusha shumë e madhe, leshin, mos të flasim. Dushk i madh. Kur është afru tek unë e është çu me këmbë para, veç më ka ndihmua zoti, e t’ia kam llullë ndërmjet dy syve. Ja lypa pikën e dobët për me e shpëtua djalin anej E kam sakicën, për qejf e marr në mal, biles rruhem edhe me të, aq që e ruaj. Ajo sakicë ka hy në ashtin e arushës, tehu i sakicës. Kur e ka hap gojën me e futë kokën time, mu ka dok vetja si mizë, qaq i vogël që u doka karshi saj”.

Por nga e gjithë kjo situatë plaku nga Prizreni nuk doli pa pasoja. Atij iu helmua gjaku pas gërvishtjeve që kishte marrë. Si rrjedhojë e kësaj kishte qëndruar për disa javë në spital.

“Më ka kap pastaj me thonjë në këmbën e djathtë. Por qentë që i kisha me vete më kanë ndihmua. Djalin e shpëtova. Qentë e mbytën edhe këlyshin e arushës. Disa ditë pas saj kam qëndrua në spital, prej gërvishtjeve të arushës më është helmuar gjaku”, rrëfen për ngjarjen plaku nga Korisha e Prizrenit.

E djali i tij i vetëm, Ylberi, tashmë i ka mbushur 22 vjet jetë. Ai sipas bacës Avdyl e mban mend shumë mirë gjithë ngjarjen. Ylberi punon në ndërtimtari. /gazetaexpress

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë