Loading…

Historia interesante e Anthony Albanese: U rrit duke menduar që babai i kishte vdekur në një aksident rrugor, por në fund u takua me të

  • 21/05/2022 | 21:06

Historia interesante e Anthony Albanese: U rrit duke menduar që babai i kishte vdekur në një aksident rrugor, por në fund u takua me të

Anthony Albanese, që me gjasë do të jetë kryeministri i ardhshëm i Australisë, ka dalur në skenë sot pas fitores së partisë së tij laboriste, duke larguar nga pushteti pas 10 vjetësh konservatorët e Scott Morrison. Mirëpo, një detaj krejt tjetër ka ngritur kureshtjen te shqiptarët, mbiemri i tij. Historia e babait të tij është sa interesante aq edhe sekrete, përcjell Gazeta Metro.


Deri në moshën 14-vjeçare, Anthony Albanese nuk e dinte sekretin e familjes dhe nuk kishte arsye për të vënë në dyshim atë që i kishte thënë për prejardhjen e tij nga nëna e tij beqare.

Deri në atë moment ai i besoi nënës së tij Maryanne kur ajo tha se babai i tij me origjinë italiane Carlo Albanese kishte vdekur prej kohësh nga një aksident automobilistik.

Më në fund, Maryanne i tha adoleshentit Anthony të vërtetën – unazat në gishtin e saj të martesës ishin vetëm për t’u treguar, nuk kishte pasur martesë, dhe se Carlo kishte një grua në Itali dhe ndoshta ishte ende gjallë.

Marrëdhënia e Maryanne Ellery me Carlon kishte qenë e shkurtër, por në Australinë konservatore të fillimit të viteve 1960, ajo mendoi se ishte e mençur sa të sajonte trillimin e një martese, të adoptonte mbiemrin e tij dhe të pretendonte se ishte e ve edhe para se djali i tyre të lindte.

Ndërsa zakonet shoqërore ndryshuan, ajo u ndje në gjendje t’i tregonte të vërtetën djalit të saj.

Mirëpo, Albaneses do t’i duheshin edhe 15 vjet të tjera për të vepruar sipas informacionit dhe për të filluar kërkimin e babait të tij.

Me informacionin që mblodhi dhe me ndihmën e ambasadës australiane në Itali, ai mundi të gjente dhe të kontaktonte Carlon.

“Dera u hap, ai hyri brenda dhe më hapi krahët dhe u përqafuaM”, tha Albanese, duke u përlotur nga kujtimi i momentit të mahnitshëm.

“Ishte tepër bujare prej tij mendoj, dhe ishte një moment shumë prekës”, tha Albanese për Leigh Sales në ABC TV.

“Takimi zgjati dy ose tre orë. U ulëm atje dhe qeshnim dhe qanim dhe… ishte tepër emocionuese. Më mori shumë energji”, tha Albanese duke kujtuar momentin.

Ai gjithashtu tregoi edhe për historinë me të cilën u rrit: “Ajo që më thanë ishte se (nëna ime) udhëtoi jashtë shtetit, takoi babanë tim, u martua me të jashtë shtetit, u kthye në Australi dhe se ai vdiq në një aksident automobilistik.”

Carlo Albanese vdiq në janar 2014, duke i thënë fëmijës së tij më të madh një muaj më parë se “ishte i lumtur që e gjetëm njëri-tjetrin”.

Bazuar në të dhënat e tij, babai i Anthonyt ishte nga Barletta, në Italinë Juglindore. Mbiemri i babait të tij, Albanese, i referohet popullit arbëresh që është në numër të madh në Itali./gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë