Loading…

‘Home sweet home’ triumfon në ‘Albanian Film Week’

  • 30/05/2017 | 11:49

‘Home sweet home’ triumfon në ‘Albanian Film Week’

Në New York të SHBA-ve ka përfunduar edicioni i 6-të i festivalit “Albanian Film Week” dhe në mbyllje u dhanë edhe çmimet.


Filmi i metrazhit të gjatë ‘Home sweet home’, me regji të Faton Bajraktarit është shpërblyer me tri çmime duke rrëmbyer kështu edhe çmimin kryesor siç është “Filmi më i mirë”.

Njëkohësisht ky film është fitues edhe i çmimeve të dy aktorëve më të mirë siç janë Donat Qosja “Aktori më i mirë” dhe Arta Muçaj “Aktorja më e mirë”, shkruan zeri.info.

Filmi “Home sweet home” flet për një ish-luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dihej i vdekur nga të gjithë e kthehet në shtëpi pas katër vitesh. Agroni lirin e gjen ndryshe nga qe kishte menduar. Ai është një ish-arsimtar dhe shkolla e re e qytetit po përurohet me emrin dhe shtatoren e tij, për nder të rënies së tij heroike.

Familja, shokët, rrethi, gjithçka ka ndryshuar në Kosovën e pasluftës. Misionet e huaja, kriza ekonomike, e faktorë të tjerë kanë ndikuar në mirëqenien e gruas, djalit e vajzës së tij adoleshentë dhe vajzës së vogël.

Gjendja sociale e kësaj familje rrezikon të përkeqësohet nëse ai del haptazi që është i gjallë dhe humb automatikisht të gjitha ndihmat që u takojnë familjeve të dëshmorëve, e në pikëpyetje vihet gjithashtu edhe karriera politike e shokut të tij të luftës. E gjithë kjo qëndron përballë traumës së tij.

Me rolet e tyre në këtë film paraqitën aktorët Donat Qosja, Arta Muçaj, Shkumbin Istrefi, Lea Qosja, Mona Mustafa dhe Albin Bajraktari.

Në anën tjetër, filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër u shpall filmi Toka’, i regjisorit nga Maqedonia, Ibër Dearit dhe po ashtu ky regjisor u zgjedh edhe “Regjisori më i mirë” për filmat e tij “Long Way Home “dhe “Toka”.

Në fushën e dokumentarëve u shpërblye regjisori Besim Ugzmajli dhe dokumentari  i tij “Beyond the Gates”.

Aktori Isli Hoxha dhe producentja Enkelejda Vasilis Mezini u shpërblyen me certifikata nga ky festival i cili sivjet mbajti edicionin e tij të gjashtë.

Java e Filmit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Albanian Film Week) është ideuar dhe themeluar nga producentja dhe regjisorja Mrika Krasniqi.

Pas edicionit të parë të zhvilluar për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në të cilin u shfaqën 100 filma të prodhuar në periudha të ndryshme kohore dhe nga regjisorë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, në edicionin e dytë festivali mori karakter garues, të cilin do ta bartë edhe këtë vit.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë