Loading…

Hotel Grand sërish në privatizim, nisin procedurat

  • 16/11/2020 | 08:18

Hotel Grand sërish në privatizim, nisin procedurat

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka filluar me procedurat për t’iu ofruar ndërmarrjen shoqërore “Hotel Grand” në Prishtinë, investitorëve privat. Kjo po bëhet përmes Ligjit për Investime Strategjike.


Megjithatë, një nismë e tillë po kundërshtohet nga ish-blerësi i këtij hoteli.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Vesel Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për këtë proces kanë tre investitorë të interesuar.

“Deri në këtë fazë komisioni ndërministrorë i ka shqyrtuar këta investitorë. Tani do të formohet grupi operacional për t’i shqyrtuar këto aplikacione”, thotë Krasniqi.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtij procesi.

Vlera e Hotel Grand më 2006 – 8 milionë euro

Hotel Grand në vitin 2006, në valën e tetë të privatizimit, ishte blerë nga Zylqif Berisha pronar i kompanisë NTP ‘Unio Commerce’.

Hoteli, si ndërmarrje shoqërore, ishte shitur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në një vlerë prej mbi 8 milionë euro, ndërkaq kontrata obligonte blerësin e Hotelit Grand që të bënte investime në vlerë prej mbi 20 milionë euro dhe të punësonte 570 punëtorë.

Por, më pas Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte konstatuar se blerësi nuk kishte realizuar zotimet dhe një gjë e tillë kishte nxitur procese gjyqësore mes blerësit të Hotel Grand dhe AKP-së.

Pas shumë proceseve gjyqësore, në vitin 2012, AKP e kishte kthyer këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.

“Nuk mund të shitet dy herë”

Armend Berisha përfaqësues i blerësit të kësaj ndërmarrje shoqërore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në procese gjyqësore lidhur me Hotel Grand dhe se askush nuk ka të drejtë të privatizojë apo të ndërmarrë çfarëdo veprimi për këtë ndërmarrje.

“Pasi që t’i shtjerrim të gjitha mundësitë në gjykata në Kosovë do të vazhdojmë me arbitrazh të jashtëm. Pagesat që ne i kemi bërë për blerjen e Hotelit i kemi në AKP, ne kemi bërë investime shtesë dhe nuk janë kthyer ato. Gjithë kësaj pune do t’i shkojmë deri në fund”, tha ai.

“Ne i kemi njoftuar me shkrim Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që jemi në proces gjyqësor. Kjo pronë është në kontest dhe nuk mund të jetë objekt i shitjes”, shtoi Berisha.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë