Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e ka shprehur si shqetësim që qytetarët janë informuar me vonesë për rritjen e faturave të tatimit në pronë, shkruan Gazeta Metro.
Në Komisioni për Buxhet ku po raporton ministri i Financave, Hoti ka thënë se është dashur të ketë fushatë vetëdijësuese muaj më parë, ndërsa kërkoi menaxhim të situatës.
“Shqetësim që një pjesë e madhe e qytetarëve e kanë dyfish faturën e tatimit ne pronë. Ajo çka më shqetëson mua është mënyra se si jeni duke menaxhuar këtë proces. Fakti që njerëzit u informuan para tre ditësh dhe gjithashtu në buxhet nuk është fare e reflektuar hyrja e të rriturave të komunave. Ti se ke pas idenë qe në janar kanë me ju dyfishu faturat. Është dashur tre muaj më herët të ketë fushatë vetëdijësuese. Ata e kanë kuptuar me 23 janar që do të ju rritet fatura. Për këtë arsye jemi duke drejtuar gishtin kah ju, për menaxhim të situatës”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq sot Murati ka thënë se në kohën e Qeverisë Mustafa është miratuar Ligji për Tatimin në pronë. Madje ai përmendi edhe Avdullah Hotin.
“…Këtu duhet të kthehemi tek Ligji që ka qenë i miratuar në vitin 2018 për Tatimin në pronë. Ky Ligj fillimisht ishte miratuar nga Qeveria Mustafa, më 4 maj 2017 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Por, ky Ligj nuk arriti të miratohej në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi sepse Qeveria kishte rënë, një javë më vonë…”, ka thënë Murati. /gazetametro.net