Loading…

Hoti kërkon troç lidership të ri në LDK: Shala kryetar, Bajrami kandidate për kryeministre

  • 07/09/2026 | 22:54

Hoti kërkon troç lidership të ri në LDK: Shala kryetar, Bajrami kandidate për kryeministre

Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, bëri publik vizionin e tij për drejtimin e ardhshëm të partisë, transmeton Gazeta Metro.


Hoti tha se e sheh Kujtim Shalën në krye të LDK-së, ndërsa Hykmete Bajramin si bartëse të listës zgjedhore dhe kandidate për postin e kryeministres.

“Dua ta them publikisht se si unë e mendoj lidershipin e ardhshëm të LDK-së, me të cilin ne do të përballemi suksesshëm në zgjedhjet e radhës. Duke zgjedhur një lidership, një kryetar të ri të LDK-së, i cili është Kujtim Shala”, deklaroi Hoti në RTV Dukagjini.

Ai sqaroi se mbështetja e tij për Shalën lidhet drejtpërdrejt me drejtimin e ardhshëm të subjektit. Sipas Hotit, të dy këta emra kanë potencialin për të krijuar një pikë bashkimi brenda partisë.

“Pra, Kujtim Shala të jetë kryetari i LDK-së. Angazhimi im, me gjithë kolegët, është që bartëse e listës dhe kandidatja jonë për kryeministre të jetë Hykmete Bajrami. Këta janë dy emrat që unë kam bindjen e thellë që janë emrat më kredibilë për opinionin publik, të cilëve do t’ju qëndrojmë të gjithë prapa, pa asnjë përjashtim”, është shprehur ai.

Megjithatë, Hoti theksoi se një ndryshim i mundshëm në krye të partisë nuk do të nënkuptonte largimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku. Ai kërkoi që edhe Abdixhiku dhe figura të tjera të rëndësishme të LDK-së të jenë pjesë e një ekipi të përbashkët, me synimin që partia të hyjë më e konsoliduar në zgjedhjet e ardhshme.

Hoti ka shprehur bindjen se një organizim i tillë do të mundësonte bashkimin e strukturave të LDK-së në të gjithë vendin.

“Imagjinoni një ekip, një LDK të udhëhequr nga Kujtim Shala dhe një listë zgjedhore dhe kandidate për kryeministre Hykmete Bajrami, pa e përjashtuar Lumirin. Absolutisht, sigurisht, as nuk bëhet fjalë. Unë jam i bindur që rreth këtyre dy emrave, njërit si kryetar i LDK-së dhe zonjës Bajrami si bartëse e listës dhe kandidatja jonë për kryeministre, janë dy persona rreth të cilëve LDK-ja bashkohet nga Dragashi e deri në Kamenicë dhe nga Podujeva e deri në Prizren”, deklaroi Hoti./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë