Ditëve të fundit ka pasur rënie të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi në Kosovë, teksa kryeministri i vendit, Avdullah Hoti thotë se po bëhen përgaditjet për vjeshtë, shkruan Gazeta Metro.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka vizituar ambientet e QKUK-së ku u takua me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Ai nga atje ka thënë se janë duke punuar që vjeshta Kosovën ta gjejë më të përgatitur sa i përket valës së dytë.
“24 orë të gjithë po punojnë pa përjashtim. Por ju kur vini në mëngjes, ju përballeni me rrezikun. Unë ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme. Rënia e shifrave kohëve të fundit na ka dhënë njëfarë qetësie shpirtërore në familjet tona. Tash po hyjmë në fazën e vjeshtës. Jemi duke punu ngushtë çdo ditë me Institutin Kombëtar e me profesionistët e tjerë. Objekti duhet që sa më parë të bëhet gati për vjeshtë. Vaksinimi shpresoj të fillojë shumë shpejt”, ka deklaruar Hoti.
Krasniqi në anën tjetër ka thënë se QKUK i ka kaluar sfidat gjatë kësaj kohe, falë donacioneve të ndryshme, si ato lokale dhe të organizatave e shteteve mike, kanë ndihmuar jashtëzakonisht institucionet shëndetësore.
Ndryshe, 615 persona në Kosovë kanë vdekur shkak i infektimit me virusin korona. Ndërsa, nga 13 marsi kur edhe janë paraqitur dy rastet e para të të infektuarve me COVID-19, numri i rasteve pozitive me këtë virus ka shkuar në 15 mijë e 142 raste.
Në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), tregohet se deri më tani 12 mijë e 674 persona janë shëruar nga virusi korona./gazetametro.net