Loading…

Hoti publikon fotografinë e Rugovës teksa tregon me gisht nga Shtëpia e Bardhë

  • 06/11/2021 | 11:11

Hoti publikon fotografinë e Rugovës teksa tregon me gisht nga Shtëpia e Bardhë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar mosftesën e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Samitin e Demokracive, përmes një fotografie.

Hoti ka publikuar në fotografi të Presidentit Historik, Ibrahim Rugovës, teksa tregon me gisht nga Shtëpia e Bardhë.

Ndryshe, pas shumë reagimeve për mosftesën e Kosovës në këtë samit, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dal me një sqarim.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë në një sqarim të dërguar në adresën e Gazetës Express ka deklaruar se Samiti për Demokraci i Presidentit Joe Biden është nismë që megjithatë s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët pasi qëllimi ka qenë që të përfshihen demokracitë me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë. Kosova nuk është ftuar që të marrë pjesë në këtë samit që do të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është njëra nga shumë nismat e ShBA-së, të përqendruara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut përreth globit. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë. Qëllimi ka qenë që të bëhet bashkë një grup rajonal e socio-ekonomik i vendeve e juridiksioneve, që i përfshin demokracitë me themele të mira si dhe demokracitë në shfaqje e sipër me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë, demografi e vendndodhje”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Tutje, ky zëdhënës ka thënë se Presidenti Biden në adresimin e tij për Kosovën ka deklaruar se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë dy dekadave.

“Siç theksoi Presidenti Biden në adresimin e tij me video në gusht, Kosova ka bërë “progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 vjetëve” duke ndërtuar një demokraci të rigjenerueshme e multietnike”, ka thënë ai.

Poashtu në deklaratën e zëdhënësit të ambasadës amerikane thuhet se SHBA si partnere të palëkundura të Kosovës mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën.

“Si partnere të palëkundura të Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për avancimin dhe fuqizimin e demokracisë, parandalimin e regresit demokratik, promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë i plotësojnë nevojat e popujve të tyre”, ka thënë ai.

Ndryshe, Presidenti amerikan, Joe Biden, do të organizojë një “Samit për Demokracinë” më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të sektorit privat dhe filantropistë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Samiti planifikohet të mbahet online.

“Samiti do të nxisë angazhimet dhe nismat në tri tema kryesore: promovimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen kundër autoritarizmit dhe luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden planifikon që një vit pas këtij samiti të organizojë edhe një takim me prani fizike, në mënyrë që të diskutohen angazhimet që janë ndërmarrë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk jepen detaje për listën e vendeve të ftuara në samit, i cili po shihet si një alternativë e G20-ës dhe një sfidë ndaj Kinës.

Grupi G20, përbëhen nga vendet më të fuqishme ekonomike në botë, përfshirë regjimet autoritare si Kina dhe Arabia Saudite.

Përfaqësuesit e G20-ës do të takohen në Itali në fund të muajit tetor.

Biden ka thënë se “sfida e kohës sonë është të dëshmohet se demokracitë mund të merren me përmirësimin e jetës së njerëzve duke adresuar problemet më të mëdha me të cilat përballet bota.

Shtëpia e Bardhë tha se samiti është “një mundësi që udhëheqësit botërorë të flasin për sfidat me të cilat përballet demokracia, të dëgjojnë njëri -tjetrin dhe qytetarët e tyre si dhe të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar”.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë