Loading…

Hoti: Të tjerët rrahin gjoks por ne do ta themelojmë ushtrinë

  • 03/06/2017 | 16:02

Hoti: Të tjerët rrahin gjoks por ne do ta themelojmë ushtrinë

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK, AKR, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, Avdullah Hoti, gjatë fushatës zgjedhore sot në qytetin e Mitrovicës, ka thënë se ky koalicion është i shpresës.


Ai u shpreh i nderuar që ka një koalicion të përbërë nga njerëz të dijes.

Sipas tij, ky koalicion ka programin e qartë në të gjitha fushat, ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit.

“30 doktorë të shkencave që do të keni problem të zgjedhni në ditën e votimit. Një program që i siguron Kosovës gjatë mandatit 3 miliardë euro buxhet për t’i plotësuar të gjitha nevojat e qytetarëve dhe që i siguron vendit dyfish rritje ekonomike sesa i kemi siguruar gjatë këtyre viteve të qeverisjes……Ky koalicion garanton që t’i ndërpresim aferat korruptive, duhet të sigurojmë mbizotërimin e rendit dhe ligjit pa përjashtim, në veçanti në Mitrovicë, duhet të mbretërojë qetësia në këtë qytet…Ju keni dëgjuar rrahgjokse javëve dhe muajve të fundit për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Kur LDK-ja ka themeluar ushtrinë e Kosovës, neve nuk na është besuar atëherë. Ju duhet të besoni se është LDK-ja dhe ky koalicion që do ta themelojë ushtrinë bashkë me partnerët tonë në NATO”, tha ai.

Hoti premtoi përparim edhe në fushat tjera si arsim, shëndetësi etj.

“Ne do të krijojmë tregun e përbashkët ekonomik shqiptar gjithandej në regjion. Ne do të punojmë në thellimin e marrëdhënieve vëllazërore me Shqipërinë, në thellimin e marrëdhënieve fqinjësore me të gjitha shtetet në regjion pa përjashtim, por ju garantojmë se nuk do të hezitojmë asnjëherë në zbatimin e reciprocitetit sa herë që është e nevojshme në veçanti me Serbinë…Jemi sot në Mitrovicë dhe unë dëshiroj të prek disa prej temave më të rëndësishme për këtë qytet. Ne do të punojmë shumë si qytetarë në këtë pjesë por edhe në atë pjesë dhe gjithandej në veriun e vendit që të ndihen të qetë për të jetuar në shtëpitë e tyre”, ka thënë Hoti.

Kryetari I LDK-së, Isa Mustafa, këtë koalicion nuk e quajti vetëm të shpresës, por edhe të realitetit, i cili do të zbatohet në praktikë.

“Prezantimin e pikave kryesore që do ta ketë ky koalicion që ne i themi koalicion i shpresës, por nuk është vetëm i shpresës, por është koalicion i realitetit, sepse asgjë në këtë program nuk do të mbetet vetëm shpresë…Do të shprehet përmes vendeve të punës, zhvillimit ekonomik, demokratizimit të jetës së brendshme, lirive të qytetarëve, të drejtave të barabarta të të gjitha komuniteteve në këtë vend”, u shpreh Mustafa.

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka potencuar se programi i tyre është një program që garanton jetë më të mirë për të gjitha shtresat e qytetarëve të Kosovës.

Ai premtoi se do të vëjë në dispozicion gjithçka që është në limitet e tij, në mënyrë që Avdullah Hoti të udhëheqë në të ardhmen me qeverinë e vendit.

“Unë nga këtu deklaroj fuqishëm se çdo gjë që është në limitet e mundësive të mia do të vëjë në dispozicion të këtij koalicioni, profesor Avdullah Hotit, që ky të udhëheqë me Qeverinë e Kosovës në të ardhmen, i bindur se do të jetë qeveria më korrekte dhe më punëtore, e cila do të punojë për qytetarët”, theksoi Pacolli.

Në anën tjetër, njëra ndër themelueset e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, theksoi se qyteti i Mitrovicës e pagoi më së shtrenjti çlirimin e Kosovës.

Sipas saj, Mitrovica akoma ndjen mungesën e shpresës. sepse i është këputur njëri krah.

Ajo shtoi se në Kosovë aktualisht garojnë oferta politike që ende proklamojnë forcën si zgjidhje të problemit, duke thënë se tani ka ardhur koha e të mençurve.

“Sot në Kosovë para jush prezantohen oferta politike. Dy janë ato që garojnë, njëra e cila sot ende proklamon forcën si zgjidhje të problemit…Koha është për të mençurit. Të fortit i ka kaluar koha, e të mençurit nuk kanë kohë për fjalë as për zhurmë. Të mençurit punojnë. Të mençurit ofrojnë zgjidhje të cilat i njeh e gjithë bota. Nuk ofrojnë tregim të muskujve dhe as nuk proklamojnë se do të vdesin për vendin. Nuk kemi nevojë për vdekje, kemi nevojë për jetë, për shpresë dhe për punë”, ka thënë Kusari-Lila.

Në këtë tubim folën edhe Iir Deda, pastaj kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi, kryetari i LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi dhe kryetari i AKR-së në këtë qytet, Agim Bahtiri.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë