Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz.
Gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe aranzhimin final të një sërë marrëveshjesh që do të nënshkruhen në këtë fushë gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Péter Szijjártó, javën që vjen, njofton MPJ’ja.
Ministri Szijjártó do të qëndrojë në Kosovë javën që vjen dhe do të pritet nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai do të zhvillojë takime edhe me krerët më të lartë të shtetit, Presidentin, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin.
Ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohje ambasadorit Markusz për përkrahjen e Hungarisë në procesin e integrimeve evropiane të Kosovës.
Po ashtu, u diskutuan edhe një sërë çështjesh për forumin e përbashkët ekonomik mes dy vendeve që do të mbahet në muajin prill të vitit të ardhshëm./gazetametro.net