Nuk ndodh shpesh herë që pas një ndeshje futbolli të hyjë në fushë ndonjë tifoz dhe të kërkojë fanellën e lojtarit të tij të preferuar. Sidomos në Angli, ku dihen që dënimet janë mjaft të ashpra. Mirëpo, ky fakt nuk i ka bërë përshtypje kosovarit 17-vjeçar, Ardijan Shabani, i cili sezonin e kaluar në ndeshjen Arsenal-West Ham United kapërceu ‘gardhin’ dhe vrapoi drejt Granit Xhakës, por nuk e morri atë që deshi, shkruan Gazeta Metro.
Ai në atë kohë ishte 16-vjeçar dhe në një prononcim për Gazeta Metro ka treguar rreth eksperiencës që ka kaluar në natën e 16 dhjetorit. Fillimisht, foli rreth arsyes pse vendosi të hyjë në fushë e më tutje rrëfeu bisedën me mesfushorin shqiptar, dënimin që ka marrë nga Policia e Anglisë dhe nëse do të vepronte njëjtë përsëri.
”Vendosa të hyjë në fushë për të takuar padyshim lojtarin tim të preferuar, Granit Xhaka dhe për të provuar të marr fanellën e tij. Ishte një përvojë e paharrueshme dhe një natë të cilën do ta kujtoj shumë gjatë,” tha ai.
Megjithatë, ëndrra apo dëshira e tij sido që ta quajmë nuk u arrit sepse mesfushori i Arsenal ‘e gënjeu’ duke i thënë se më vonë do t’i jap fanellën, siç thotë Shabani.
”Ishte ndjenjë e mirë të bisedoja me Granitin, por nuk përfundoi sipas planit, pasi nuk arrita t’i merrja fanellën. I kërkova fanellën në shqip dhe ai mu përgjigj shkurtimisht, ku më tha ‘më vonë’,” tha 17-vjeçari për Gazeta Metro.
Siç e theksuam edhe më lartë dënimet për shkelje të rregullave në stadiumet e Anglisë janë shumë të larta. Ardijan Shabani thotë se tani në ‘Emirates’ nuk ka drejtë të hyjë për tre vite.
”Pasi hyra në fushë, policia më mbajti në stadium rreth një orë dhe pas disa ditësh më erdhi dënimi që për shkeljen që kam bërë nuk kam të drejtë të shkel në ‘Emirates’ për tre vite,” tha ai.
Në fund, Gazeta Metro e pyeti se nëse do të vepron përsëri njëjtë në të ardhmen, dhe tifozi i flaktë i Arsenal u përgjigj duke thënë: ”Ndoshta nuk do të përpiqem të hyj përsëri pasi pasoja do të jetë shumë më e keqe si shkelës i rregullave për herë të dytë.”
Shabani dërgoi edhe një fotografi të cilën e kishte postuar në ‘storyn’ e tij në Instagram, ndërsa të njëjtën ia kishte shikuar Granit Xhaka. Kujtojmë se Arsenal në atë përballje kishte fituar me rezultat 2-0 me golat e shënuar nga Gabriel Martinelli dhe Emile Smith Rowe. /gazetametro.net