Ish diplomati kosovar Ylber Hysa në 23 vjetorin e ngritje së aktakuzës ndaj kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosevic, tha se ideja e drejtësisë ndërkombëtare mbeti pezull pa një ndëshkim për liderin serb por ka edhe rikthim të ideologjisë së tij në Serbi që shkaktoi gjenocidin në Ballkan. Drejtësia ndërkombëtare e ngelur pezull ka lënë hapësirë për pranimin e një qasjeje serbe që të gjitha palët qenkan fajtore që qoi edhe tek gjykata speciale tha Hysa, transmeton Gazeta Metro.
Mungesa e vendimit për liderin serb në gjyq që shkaktoi gjenocid në Ballkan gjatë luftërave të ish Jugosllavisë është një prej zhgënjimeve përpos një mesazh pozitiv për drejtësinë. Ka hapësirë për kritikë ndaj drejtësisë ndërkombëtare mendon Hysa në intervistën e tij për televizionin Klan Kosova.
Hysa e tha se hapësira e lënë Milosevic të dilte si një lider paqeruajtës në Dejton ishte një lëshim i mundshëm por ishte mbushur kupa me luftën në Kosovë. Dorëzimi i tij nga vet institucionet serbe në tribunalin e Hagës ishte një arritje e theksuar për drejtësinë.
“Besoj se ka qenë një fitore e jashtëzakonshme e drejtësisë ndërkombëtare por edhe një fitore politike momenti kur Slobodan Milosevic, ai që u quajt Kasapi i Ballkanit, përfundoi aty ku e kishte vendin, në Hagë në drejtësinë ndërkombëtare. U desh shumë kohë që të vijë një moment i tillë. Luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi që kanë marrë jetët e qindra mijëra njerëzve, një tragjedi e pamenduar pas Luftës së dytë Botërore. Gjetën edhe momentin kur zotit Milosevic i ishte dhënë shansi që të jetë negociator siç ishte në Dejton e në momente tjera dhe ai e mbushi kupën në Kosovë. Ai është autori i një tragjedie të paimagjinueshme dhe në fund si duket pas ndodhive të 5 tetorit në Serbi më në fund u bind një pjesë e elitës serbe u bindën që ta drejtonte atë në Hagë.”
“Ku ishte një moment më shumë se simbolik në kuptimin që ka dhënë shpresë jo vetëm për viktimat e shumta në hapësirat e ish Jugosllavisë , por edhe një shans për drejtësinë ndërkombëtare për të kuptuar e demonstruar që kriminelët nuk kanë të ardhme e nuk mund të jenë në liri”.
Hysa shtoi se përkundër shpresës që dha akti për drejtësinë ka mbetur pezull drejtësia jo vetëm për mungesën e një dënimi por edhe atë që ndodhi pas në Serbi dhe me vet rrjedhjen e procesin e drejtësisë.
“Por, njëkohësisht përkundër kësaj shprese duhet fatkeqësisht të konkludohet me cinizëm se Milosevic arriti t’i ikë drejtësisë. Ai vdiq pa e marrë verdiktin të cilin e meritonte, për gjithë atë tragjedi e gjenocid që e kishte krijuar si një ideolog i një nacionalizmi serbo-madh.”
Ka ngelur pa përfundim drejtësia në Serbi që ka implikime se po rikthehen idetë e moçme në Serbi duke pasur efekt madje në pikëpamje edhe tek drejtësia ndërkombëtare duke zhvlerësuar atë vet sipas Hysës.
“Unë mendoj se Serbia i ka borxh drejtësisë ndërkombëtare po aq sa drejtësia ndërkombëtare i ka borxh të vërtetës. Ka qenë një moment i papërfunduar e pashfrytëzuar, nuk e kemi ndjerë atë rënien e çekiçit, verdiktin dhe vulën për një tragjedi për të cilën të gjithë kanë qenë koshient. Për më tepër Milosevic, por edhe të tjerët, përfshi këtu Sheshel e kanë përdorë këtë si një teatër për rimoblizim të opinionit serb për të dalë si heronj nacional në përballje me gjyqin e Hagës, madje ata ishin ofendues ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe kanë sjellë dyshime se ajo çfarë kanë bërë ka qenë një gjë jo e drejtë dhe e mirë. Besoj që kjo jo vetëm që nuk ka kontribuar në ballafaqim me të kaluarën në shoqërinë serbe, madje disa i ka trimëruar madje siç i kemi parë ka një mendim në shoqërinë serbe, jo vetëm në elitën e saj se ata nuk janë përgjegjës për tragjedinë në ish Jugosllavi ose së paku një konsensus i elitës serbe ka arritur të thotë se nuk jemi vetëm ne fajtorë apo të gjithë janë fajtorë.”
Ngeli përgjysmë drejtësia ndërkombëtare dhe kjo ka trimëruar rikthimin e ideve ultranacionaliste serbe të maskuara nën slogane tjera si ‘Bota Serbe’ tha Hysa, që shtyhet nga ministri serb Aleksandar Vulin i cili njihet për qasjen e tij të pa pendim për të kaluarën e Serbisë. Hysa shtoi se gjykata speciale për luftën në Kosovë është rënie në grackë e drejtësisë ndërkombëtare në strategjinë e serbe të barazimit të kriminelit me viktimën.
“Besoj se ky mos dënim, ky moment që nuk e ka quar drejtësinë deri në fund ka stimuluar një mendim të tillë në Serbi e cila nuk është e ballafaquar me të kaluarën dhe siç po e shohim ky është një problem jo vetëm politik por edhe i sigurisë në rajon. Pas kësaj kemi parë plane dhe rikthim të planeve, strategjive e ideologjive të njëjta, ‘Bota Serbe’, s’është asgjë tjetër përpos një eufemizëm një kamuflim i asaj që ka dashur të bëjë Milosevic me luftë ndërsa të tjerët po përpiqen ta bëjnë me paqe. Kështu konsideroj që drejtësia ndërkombëtare absolutisht nuk e ka thënë fjalën e saj, besoj, nëse mund të jem aq i lirë, se madje ka rënë në grackën e shpjegimit serb për të akomoduar nevojën e një filozofie se të gjithë janë fajtorë. Besoj që kjo solli në fund edhe një vendim shumë cinik siç është krijimi i një gjyqi special për luftën në Kosovë dhe besoj se kjo duhet parë kështu.”
Specialja a ishte një hakmarrje ndaj shqiptarëve në Kosovë u pyet Hysa i cili tha se kjo është një dëm që po i bëjnë vetes pasi kjo qasje ka implikime në tjera mjedise e rrethana. Ai theksoi Ukrainën ku ka masakra të kryera nga rusët ndaj qytetarëve që po mbrojnë veten. Ai shtroi pyetjen si do të mund të arsyetohej drejtësia ndërkombëtare në fund të luftës atje sikur të ngrihej akuzë ndaj presidentit ukrainas Zelenskiy.
“Besoj se iu hakmor vetvetes sepse nuk u qua ideja deri në fund. Nëse ideja ka qenë që përmes procesit gjyqësor të mësohen leksione që nuk duhet bërë gjenocid besoj se kjo nuk a shkuar deri në fund, tek e fundit gjyqi ka edhe një mesazh edukativ, që t’i edukojë të tjerët të ballafaqohen me të kaluarën dhe këtë e them në një situatë të re aktuale që e sjell përsëri në pikëpyetje një gjë të tillë dhe ky është momenti i luftës në Ukrainë . Kemi parë dhe atje që kanë ndodhur krime siç ishin në Buqa e siç janë krime të tjera dhe me të vërtetë do të dukej cinike nëse në fund të një konflikti në Ukrainë si epilog të organizohej një gjyq për shembull për presidentit Zelenski, ose për ata që po mbrojnë Ukrainën nga invadimi rus. Kështu që kjo pyetje është aktuale dhe e mbetur pezull.”
Hysa u pyet direkt për Vucic dhe rolin e tij në qeverinë e Milosevic asokohe e për të cilin tha se nuk është për t’u brengosur fakti se ai është në post por që Serbia me shumicë mendon si ai. Një mjedis shoqëror që prodhon të tillë eksponent politik si Vucic nuk është shpresëdhënës për pajtim dhe zgjidhje politike.
“Ai është aty se ai reflekton shumicën e atij vendi. Problemin e shoh tek mos ballafaqimi i tërësishëm shoqëror me këtë problem, dhe kjo e prek pothuajse të gjithë institucionet e rëndësishme të shoqërisë serb jo vetëm politikën, si akademinë e arsimin, organizatat religjioze, i prek të gjitha aty që kanë qenë shtyllat e krijimit të një ideje serbomadhe e të një klero-nacionalizmi i cili siç e pamë është ende aktiv dhe gjallë. Në këtë aspekt kushdo që të vjen në krye të shtetit serb do të jetë eksponent i kësaj natyre. Në fund të fundit nuk është vetëm vendimmarrësi problem, por është edhe milieu shoqëror në të cilin brumësohet një individ i tillë i cili përfaqëson atë shtet. Prandaj edhe mendoj se në këtë rast drejtësia nuk e ka thënë të fundit, Milosevic thuajse edhe me vdekjen e tij e ka përqeshë drejtësinë ndërkombëtare.”
Ish diplomati kosovar iu kërkua të komentoj një deklaratë të kryeministrit Kurti në ShBA që në dukje i linte hapësirë kursimi nga përgjegjësia Vucicin duke i mundësuar distancimin e tij nga Milosevic. “Milosevici s’pyeste ministrat e tij kështu që nuk do ta kishte vështirë të distancohej nga ai” kishte thënë kryeministri Kurti në një bisedë për Atlantic Council që ishte e ndryshim nga qasja e deritanishme. Kontradiktore e pa ish diplomati Hysa deklaratën e tij dhe e vlerësoi si një përpjekje të një lloj pragmatizmi, ndoshta shtoi ai. Gazetari kishte përmendur Departamentin e Shtetit Amerikan në pyetjen për kryeministrin Kurtin që nënkuptonte një vizitë zyrtare në SHBA, apo mungesën e saj, të cilën e komentoi poashtu ish diplomati.
#Kosovo PM @albinkurti says that #Serbia‘s President #aleksandarvucic @avucic as #Milosevic ‘s minister was never consulted by his former boss and it shouldn’t be difficult to distance himself from from him #warcrimes #slobodanmilosevic #Bosnia pic.twitter.com/0F8QebPFaw
— DTT-NET English (@dtt_net_english) May 19, 2022
“Në fakt nuk e kam parë zotin Albin Kurti të ketë qenë në State Departament e as të ketë qenë aktiv në Uashington. Me sa kam parë unë ai ka qenë në një lloj ekskursioni politik dhe nuk mendoj se mund të komentoj për një vizitë të pa qenë. Ajo që e ka thënë ai ndoshta është përpjekje e tij për të u bërë pragmatik, në atë që ai e kupton si pragmatizëm. Sidoqoftë, është një inkosistencë dhe mua nuk më çuditin inkosistencat që lidhen me një njeri të tillë”./gazetametro.net