Ish-kryediplomati kosovar, Skënder Hyseni, përmes një postimi në Facebook ka thënë se presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti janë kundër themelimit Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe rrjedhimisht kundër marrëveshjes së paqes midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton Gazeta Metro.
Ai për këtë ka akuzuar edhe kryeministrin teknik të Malit të Zi, Dritan Abazovic dhe një grup problematik të VV’së në Tiranë.
Sipas tij kjo bie ndesh me kërkesat e SHBA’së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe të gjitha vendeve të BE’së.
”Vjosa Osmani dhe Albin Kurti me VV-në në Kosovë, njëfarë biçim kryeministri, Abazoviq në Mal të Zi dhe grupi problematik i VV-së në Tiranë janë pjesë konsensusit transnacional ballkanik kundër asociacionit dhe rrjehdimisht kundër marrëveshjes së paqes midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht midis shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi . Në anën tjetër ndërkaq, e gjithë bota demokratike, përfshirë këtu Amerikën, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe të gjitha vendet e BE-së, po bënë thirrje pa ekuivoke për themelimin e asociacionit dhe për marrëveshje paqeje midis Kosovës dhe Serbisë, e që në thelb do të ishte paqe midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan përgjithësisht,” ka shkruar ai.
Tutje, Hyseni ka pretenduar se me veprimet e tyre politike Kurti e Osmani ”po u shërbejnë agjendave politike serbe”.
”Binomi Kurti Osmani dhe aleatët e “forte” të tyre, si ky Abazoviqi, “telalli” i Vuçiqit në Mal të Zi dhe grupi i marksistëve të Tiranës janë e keqja më e madhe e Kosovës dhe shqiptarëve sot. Politika e çmendur që udhëhiqet nga ky “bllok” mjeranësh po i rrezikon vet themelet e shtetit të Kosovës. Me veprimet e tyre politike, Kurti e Osmani, po u shërbejnë agjendave politike serbe,” ka shkruar ai.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Skënder Hysenit. /gazetametro.net