Pak ditë para se të mbyllej afati kalimtar i janarit, Bersant Celina u rikthye përsëri në Angli, aty ku ka kaluar momentet më të mira të karrierës. Ai vendosi të bëhej pjesë e Stoke City pas një aventure të shkurtë në Turqi te Kasimpasa. Rreth këtij transferimi Gazeta Metro ka kontaktuar me gazetarin anglez të mediumit lokal ‘Stoke Sentinel’, Peter Smith. Ai u shpreh i lumtur që futbollisti kosovar do të jetë pjesë e ‘The Potters’ dhe beson që do t’i ndihmojë atyre në objektivat e këtij edicioni.
Celina veçse ka filluar të ambientohet te skuadra angleze, e cila deri para disa vitesh bënte pjesë në Premier League.
Ai pati një ndeshje debutuese të mahnitshme në FA Cup kundër Stevenage, teksa performancë relativisht të mirë tregoi edhe kundër Luton në Championship.
Sipas gazetarit anglez, Peter Smith, fakti që 26-vjeçari në moshë të re ka qenë pjesë e ekipit të rinjve të Manchester City dhe pastaj në moshë madhore e ka provuar futbollin anglez mund të jetë faktor i rëndësishëm që ai të përshtatet sa më shpejtë.
”Duket që transferimi i tij në Stoke City do të jetë tërheqës pasi Celina tashmë ka përvojë në Angli dhe ai e njeh gjuhën dhe kulturën. Kjo duhet ta ndihmojë atë të përshtatet lehtësisht dhe ai është në dijeni se çfarë duhet të pres nga klubi dhe në garë,” tha ai.
”Ai ka luajtur për ekipin e të rinjve të Manchester City, që nuk është shumë larg nga Stoke, dhe ai duhet të ndihet që mund të ketë impaktin e tij në Championship,” tha Smith për Gazeta Metro.
Huazimi i tij te Stoke City të paktën në opinion u paraqit se ndodhi shumë shpejtë. Ai nuk është se nuk kishte minuta te Kasimpasa dhe gjithashtu kishte shok skuadre futbollistin tjetër kosovar, Florent Hadërgjonaj.
Gazetari anglez thotë se Celina është lloji i futbollistit që i ka munguar këtë sezon ekipit të udhëhequr nga Alex Neil. Ai për këtë e merr një shembull interesant.
”Celina është lloji i lojtarit kreativ që Stoke nuk e ka pasur këtë sezon dhe kjo u pa në debutimin e tij ndaj Stevenage, ku mundi t’i çonte në këmbë mbështetësit nga ulëset e tyre. Ai është një lojtar emocionues. Mendoj se të gjithë e dimë se ai ka diçka për të sjellë në Angli dhe të fillojë të tregojë se sa lojtar i mirë mund të jetë. Shpresoj këtë do ta bëjë te Stoke,” tha ai.
Tutje, Smith përmend disa nga problemet që ka hasur këtë sezon Stoke City dhe të cilat sipas tij pritet t’i zgjidh anësori i Kombëtares së Kosovës.
Megjithatë, ai potencon se do të jetë interesante të shikohet Celina edhe kur skuadra vendos të aplikojë lojë më defensive.
”Stoke ka pasur vështirësi në ndeshjet kur kishte posedimin e topit dhe mbrojtjet kundërshtare qëndronin më prapa, kështu që të kesh dikë që është i aftë dhe që vepron shpejtë të ndihmon shumë ndeshje të tilla.”
”Do të jetë interesante të shihet se si do të jetë ai në një ndeshje tjetër, kur Stoke nuk e mban aq shumë topin dhe ka nevojë për lojtarë që punojnë shumë në mbrojtje. Ka disa ndeshje të ngushta në kampionat dhe një trajner ka nevojë për 11 lojtarë që do të luftojnë për gjithçka,” tha ai për Gazeta Metro.
26-vjeçari ‘dardan’ shumicën e rasteve gjatë karrierës ka luajtur në dy pozicione, anësor i majtë dhe pas sulmuesve.
Siç thotë për Gazeta Metro gazetari anglez Stoke City ka nevojë për lojtarë në të dyja këto pozita dhe beson që trajneri Alex Neil do t’i rezervojë një pozicion ku ai mund të ketë më shumë ndikim.
”Ai luajti në krahun e majtë në të dyja ndeshjet e para, por ai pati mundësinë të ishte në çdo cep të fushës për të gjetur hapësirë për veten dhe për të krijuar hapësirë për shokët e tij. Do të jetë interesante të shihet nëse ai do të luajë më shumë në atë pozicion apo nëse do të përdoret si 10’sh,” tha ai.
”Stoke ka nevojë për lojtarë në të dyja këto pozicione këtë sezon dhe unë pres që trajneri do të përpiqet të zbulojë se në cilin prej tyre ai mund të ketë më shumë ndikim. Sulmuesit nuk kanë shënuar aq gola sa ishte e pritshme dhe shpresojmë se Celina do të gjejë një mënyrë për të krijuar shanse të mira për ta ndryshuar këtë,” përfundoi Peter Smith për Gazeta Metro.
Kujtojmë se kartonin e futbollistit vazhdon ta ketë nën pronësi Dijon. Skuadra franceze ka kontratë me Celinën deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.
Në futbollin britanik ylli kosovar përveç që ka qenë pjesë e Manchester City, ka luajtur edhe për Swansea dhe Ipswich.
Ndryshe, ai për Kombëtaren e Kosovës ka zhvilluar 31 paraqitje dhe ka shënuar një gol. /gazetametro.net