I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Nicholas Giacobbe ka thënë se gjykatat s’duhet t’u shërbejnë vetëm individëve, derisa ka thënë që presidenti Joe Biden e konsideron korrupsionin rrezik kombëtar, shkruan Gazeta Metro.
Giacobbe po merr pjesë në organizimin Transformimi i Prokurimit Publik, përmes së cilit po shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër-Korrupsionit. Diplomati amerikan tha se ndihma për luftën kundër korrupsionit është prioritet për SHBA’në.
Giacobbe tha se presidenti Joe Biden e konsideron korrupsionin rrezik për gjithë vendin, ndërsa foli edhe për çështjen e institucioneve të drejtësisë, të cilat tha se s’duhet t’u shërbejnë individëve por interesit të përgjithshëm.
“Dua t’ju falënderoj të gjithë juve që jeni prezent. Ndihma për luftën kundër korrupsionit është prioritet për SHBA-në. Presidenti Biden thotë që korrupsioni është rrezik kombëtar për të gjithë vendin. Institucionet e gjykatave nuk duhet t’u shërbejnë individëve, por interesit shoqëror.
Në ngjarjen ku po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi si dhe disa kryetarë komunash, Giacobbe tha se “Ju keni sakrifkuar shumë për këtë vend dhe vetëm ju mundeni ta zhvilloni shtetin tuaj”.
Ai theksoi se edhe qytetarët mund të japin një dorë në luftën kundër korruprsionit.
“Qytetarët kanë mjete të forta për ta luftuar korrupsionin, ata duhet të jenë aktiv për ta bërë një gjë të tillë. Faleminderit që jeni bashkuar këtu me ne, dhe faleminderit për vullnetin për ta luftuar korrupsionin. Urime dita kundër korrupsionit”, deklaroi Giacobbe.
Të mërkurën, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, që është në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, publikoi një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Përveç Steviqit, në këtë listë janë përfshirë edhe Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.
Me futjen në listën e sanksioneve, pronat e të gjithë të sanksionuarve bllokohen dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet që të bashkëpunojnë me ta. SHBA-ja tha se Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë. Sipas njoftimit, ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.
Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017. /gazetametro.net