Gramoz Berisha është i vetmi mashkull që ka shpëtuar në familjen Berisha, pas masakrës që kishin bërë serbët në vendit e tyre, në Suharekë.
Berisha edhe pse kishte qenë vetëm 9 vjeçar, ka mbajtur mend mirë ditën kur kishte shpëtuar së bashku me nënë e tij dhe gruan e xhaxhait.
Ai, tregoi për “Bota sot” jetën e tij pas luftës, pas tmerrit që ka përjetuar.
“ Ajo ditë e 26 marsi të vitit 1999, për mua do të mbetet gjithmonë e freskët. Sot, edhe pas 18 vitesh, kujtimet , dhembjet janë të njëjta. Ato janë ende në mua, nuk do të kalojnë kurrë, asnjëhere sado që kalojnë vitete, për mua do të jenë të njejta dhembje dhe të njëjta kujtime të hidhura. Atë ditë e mbajë ende të freskët, e mbaj në kujtesë time dhe e kujtoj gjithmonë. Ajo mbetet gjithmonë në mendjen time, janë përjetimet që nuk i harroj dhe nuk do t’i harroj kurrë” tregon Berisha.
Ai thotë se nuk e kishte menduar ndonjëherë që nuk do t’i takonte më familjarët, sepse kishin shpresën se dikush do të dilte i gjallë sikur kishin dalë ata.
“Në momentin që kishim vendosur të hidhemi nga kamioni edhe pse i kemi parë shumicën e familjarëve të vrarë, përsëri kemi pasur një shpresë se dikush nga familjarët do të dilte i gjallë, kemi shpresuar se edhe dikush tjetër ka mundur të shpëtojë ashtu sikur kemi shpëtuar ne. Por, pas përfundimit të luftës filluan edhe gjetjet e para të trupave, të familjarëve tanë dhe që nga ajo kohë e deri më sot gjithmonë jemi përballur me këtë punë. Akoma mungojnë edhe gjysma e trupave dhe ne jemi gjithmonë në pritje të ndonjë lajmi të ri, të ndonjë varreze tjetër masive” rrëfen Berisha.
Gramoz Berisha pas përfundimit të luftës së bashku me nënën e tij ka jetuar tek dajtë e tij, ndërsa nëna e tij nuk është kthyer ende në shtëpinë e tyre që kanë jetuar para luftës.
“Po, ne në përfundim të luftës kemi jetuar tek dajtë, ngase nëna ime nuk ka mundur të kthehet në shtëpi. Ajo sot e kësaj dite nuk është kthyer në atë shtëpi. Kurse unë shkoj atje vazhdimisht” tregon Berisha.
Gramoz Berisha tashmë është student në Universitetin e Prishtinës, në nivelin Master dhe është i papunë, ndërsa nëna e tij punon me në Suharekë.