Ky është Florian Pervathi, i cili vrau për gjakmarrje ditën e sotme Lek Lekgjonajn, pasi vëllai i këtij të fundit, vite më parë i kishte vrarë babain.
Ishte vetëm 4-vjeç kur Ndue Lekgjonaj, vëllai i viktimës, i kishte vrarë babanë, por ndjenjën për t’u hakmarrë për gjakun e babait të tij nuk e kishte harruar. Po në të njëjtën ditë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, mamaja e të miturit kishte vrarë veten me fotoksinë.
Ndërsa sot në oborrin e shtëpisë së vrasësit të babait në 2009, ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të Lek Lekgjonajt, duke e lënë të vdekur në vend.
Por ishte në shtëpi kur nëna e tij Martine Përvathi, 40 vjeçe piu helmin në prani të motrës së saj, dhe vdiq menjëherë pasi i vranë të shoqin dhe i plagosen djalin, pasi mendoi se i vdiq edhe ai.
Gjyshërit Përvathi e morën Florianin dhe e larguan nga shtëpia, larg dy xhenazeve burrë e grua. 4-vjeçari rikthehet në familje disa ditë më vonë, kur nënë e babë ishin përcjellë në banesën e fundit dhe vëllai ndodhej në spital.
Fëmija kalonte orë e ditë të ashpra pranë plakut të shtëpisë që e mbante gjithmonë me vete. Aty mësoi që babai iu vra pas një nate, ku kishte kthyer dy gota alkool dhe qëlloi me armë mbi çatinë e fqinjëve.
Të mëdhenjtë i treguan se nëna e tij helmoi veten se nuk përballoi dot dy vdekje në një shtëpi, siç kujtoi ajo që pas burrit i vranë edhe djalin e madh. Familja Përvathi nuk pranoi pleqtë për pajtim edhe pse u tentua disa herë. Të gjithë në Manati të Lezhës e dinin se Përvathët dhe Lekgjonajt ishin në gjak! Me hasmit komshinj, me kalimin e viteve Floriani mësoi nga të moshuarit se gjaku i babait të tij nuk ishte falur.
Nuk dihet kur Floriani, sot 17-vjeçar vendosi të zbatonte ligjet e kanunit, por ai nuk e bisedoi me askënd planin. Vdekja e gjyshit e ashpërsoi më shumë adoleshentin; Nuk luante e as qeshte më bashkëmoshatarët. Ditët iu ngrysën edhe më shumë kur vëllai i tij i përfundon në burg. Jeta vërtitej sa në derën e njërit xhaxha në derën e tezes.
Sot ai vendosi të mbyllë hesapet me kanunin dhe veten e tij. Kur Lek Lekgjonaj, vëllai i vrasësit të babait po futej në shtëpi, Floriani iu afrua dhe qëlloi me pistoletë. Më pas iu dorëzua policisë dhe tha: Po unë e vrava!