Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, në një takim me Ambasadorin e Sllovenisë të akredituar në Kosovë, Miljan Majhen kanë diskutuar për bashkëpunimin në fushën e Kulturës dhe të Rinisë, si dhe për nismat e tjera të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal që ndërlidhen me aktivitete të përbashkëta kulturore dhe rinore, ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës.
Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, në kuadër të ditës së Evropës, Ambasadori i Kulturës së Republikës së Sllovenisë prezantoi idenë e organizimit të një koncerti në 6-të vendet e Evropës Juglindore, me përfshirjen e talenteve të rinj që vijnë nga bota e muzikës, po edhe të fushave të tjera, përmbyllja e të cilit synohet të jetë në Bruksel, në ditën e Evropës, më 9 maj.
Zëvendësministri Hoti, në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ofroi përkrahje për një iniciativë dhe aktivitet të tillë, duke siguruar bashkëpunim dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të këtij aktiviteti.