Raporti i fundit i Qendrës Strategjike të NATO’s rreth luftës hibride thekson rëndësinë e komunikimit strategjik në luftimin e kërcënimeve hibride, si dhe trajton dhjetëra shembuj nga fundi i luftës së ftohtë e deri në ditët e sotme që i kualifikon si forma të kërcënimeve hibride.
Ndër shembujt që raporti konsideron për të pasur një pasqyrë të qartë të formave që përdorën në luftën hibride, është edhe çështja e Kosovës, më saktësisht raporti merr si shembull Kishën Ortodokse Serbe, si mjet që përdoret nga Rusia për të influencuar agjendat e saj. Në këtë shkrim duke parë nevojën rreth diskutimit të kërcënimeve ndaj shtetësisë së Kosovë, shkurtimisht do të trajtoj kërcënimet hibride për Kosovën, duke analizuar edhe elementet që e bëjnë vendin tonë një terren të favorshëm për të zhvilluar aktivitete që pushojnë nën definicionin e kërcënimeve hibride, si dhe nevojën për të ndërmarrë veprime institucionale në këtë aspekt.
Mbi luftën dhe kërcënimet Hibride
Në zonën gri mes luftës dhe paqes, në teorinë moderne të luftës ka evoluar koncepti i luftës Hibride, që nënkupton angazhimin e kapaciteteve ushtarake dhe jo ushtarake me qëllim të arritjes së objektivave politik. Kur flasim për këtë zonë gri, lufta hibride merr formën që qëndron jashtë formave tipike konvencionale dhe jokonvencionale të luftës, duke përjashtuar elementin e dhunës në veprimet për arritjen e objektivave shtetërore në shumicën e rasteve. Lufta Hibride tashmë konsiderohet si normë natyrore e kombinimit të disa aspekteve strategjike në një të vetëm dhe shtetet po krijojnë dhe po avancojnë mekanizmat e brendshëm dhe ato në kuadër të mbrojtjes kolektive për të ju përgjigjur kërcënimeve potenciale. Për të sqaruar opinionin, lufta hibride nuk nënkupton vetëm angazhimin ushtarak dhe përdorimin e forcës së armatosur, e as agresionin e armatosur në kuptimin juridik të fjalës, por një sërë formash tjera të angazhimit të cilat do të mundohemi ti trajtojmë në vijim.
Nëse flasim në definicionin e Clausewitz’it për luftën, definojmë luftën si një duel në shkallë të madhe, akt i forcës për ti imponuar armikut vullnetin tonë, me një anë objektive që është universale, e pandryshueshme e të kaluarës dhe e së ardhmes, ku mbizotërojnë armiqësia, probabiliteti, vullneti për të vepruar, racionaliteti e objektivat politik, vetë bërthama që e definon luftën, një konstante që nëse ndryshohet do të ishte diçka tjetër por jo më luftë. Ndërsa ana subjektive nënkupton doktrinën, objektivat, taktikën dhe strategjinë, artin operacional dhe format me të cilat palët angazhohen në luftë. Përderisa ana objektive është vetë substanca e luftës, konstantja universale, ana subjektive është e lëngshme, e ndryshueshme dhe e manipulueshme. Ana subjektive evoluon, përderisa ajo objektive mbetet e njëjtë. Sa për ilustrim, që të dy vendet, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e po ashtu edhe Bashkimi Sovjetik kanë bërë luftë në Afganistan, njëra ndjekë doktrinën e fitimit të zemrave dhe mendjeve, dhe tjetra ka ndjekur doktrinën e tokës së djegur. Në doktrinë, këto dy lufta janë krejt të ndryshme, në thelb janë të njëjta.
Kërcënimet hibride në zonën gri, mbeten vazhdim i politikës me mjete të tjera, duke mënjanuar përdorimin e dhunës, dhe pa arritur kufirin e minimumit të luftës, por që japin rezultate në favor të përmbushjes së objektivit politik armiqësor. Ato janë luftë e pakufizuar që shkojnë përtej kuptimit tradicional të limiteve ndaj luftës duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të arritur objektivat politik dhe strategjik. Kësisoj në vend se të përdorim termin luftë hibride, meqë vetë lufta nënkupton përdorimin e makinerisë ushtarake dhe dhunës, në vazhdim do të përdorim termin kërcënime hibride duke nënkuptuar përdorimin e formave jo të armatosura kundër objektivit.
Kërcënimet dhe lufta hibride, përmes përdorimit të teknologjisë dhe informacionit, operacioneve klandestine te inteligjencës, diplomacisë, kërcënimin apo përdorimin e forcës ushtarake, mjeteve ekonomike dhe financiare e madje edhe dobësive në infrastrukturën ligjore të një vendi apo në rendin juridik ndërkombëtarë, mëtojnë të influencojnë aspekte të politikës, informacionit dhe aspekte kognitive përbrenda një shoqërie. Tashmë përzierja dhe influencimi në zgjedhjet e brendshme në vende të caktuara, siç është rasti i SHBA’ve dhe Francës, përbën një shembull tipik të kërcënimeve hibride. Apo së fundmi dyshimet për financimin e Partisë Demokratike në Shqipëri nga ana Ruse, dhe instabilitetin që veprimet e PD’së mëtojnë të krijojnë në një vend anëtar të NATO’s dhe potencialisht në një vend kandidat për anëtar të Bashkimit Europian, në rast se provohen të vërteta, ilustrojnë një rast tjetër të kërcënimeve hibride.
Përdorimi i polarizimit politik brenda një vendi është mjet tipik i llojit rus të kërcënimeve hibride, që e kemi parë më herët në Ballkan, siç është rasti i Malit të Zi (shih Raportin e Komtitetit per Marrëdhënie me Jashtë të Senatit të SHBA, fq. 48) në momentet kur vendi po synonte të bëhej anëtar i NATO’s, e tash me gjasë edhe në Shqipëri përmes bllokimit të reformës në drejtësi nga ana e Partisë Demokratike e tutje me mospjesëmarrjen në parlament dhe me organizimin e protestave për rrëzimin e kryeministrit Rama në momente kur Shqipëria mund të marrë kandidaturën për të hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sidoqoftë ky është vetëm një aspekt i kërcënimeve hibride ruse, të vijëzuara në të ashtuquajturën Doktrinën e Gerasimovit. Sipas Gerasimovit, vetë natyra e luftës ka ndryshuar, kësisoj përdorimi i mjeteve jo ushtarake për arritjen e objektivave politik dhe strategjik shpesh arrin rezultate më të larta dhe më efektive sesa përdorimi i forcës.
Lloji i aktiviteteve që definon kërcënimet hibride nuk është i ri, më parë është quajtur me shumë terma si luftë speciale apo luftë indirekte, sidoqoftë arritja e rezultateve në përdorimin e këtyre metodave ka ndryshuar, duke kaluar prej niveleve taktike e ndonjëherë edhe operacionale në të kaluarën, në nivele strategjike në të sotmen.
Kosova si terren i favorshëm për Doktrinën e Gerasimovit
Një kalim nga efektet në nivelin taktik në atë strategjik mund ta ilustrojmë përmes një shembulli të thjeshtë në vendin tonë në historinë e pasluftës. Deri në shthurjen e organeve paralele të Serbisë në Kosovë, Serbia përmes përdorimit të këtyre mekanizmave ilegal ka arritur vetëm objektiva në nivelin taktik, ku më së shumti këto objektiva kanë qenë të mbajnë popullsinë serbe të Kosovës të painkuadruar në shoqërinë Kosovare. Me shpërbërjen e institucioneve paralele serbe, dhe hyrjen e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Serbia ka instrumentalizuar përfaqësuesit Serb duke provuar të influencoj agjendat, të bllokojë ato, dhe të krijoj potencial për destabilitet politik dhe institucional.
Përmes përfaqësuesve politik të komunitetit Serb nëpër organet shtetërore, Serbia krijon potencial për të arritur objektiva strategjik, përderisa objektivat e nivelit taktik ua ka lënë grupeve kriminale që veprojnë në veri të Kosovës. Një shembull tejet i suksesshëm i kësaj metode ka rezultuar në Bosnje si pasojë e sistemit juridik atje, mirëpo rezultate të njëjta janë vështirë të arrihen në Kosovë për shkak të rrethanave të ndryshme. Serbia shfrytëzon sistemin legal të Kosovës dhe të drejtat që sistemi ynë kushtetues ua jep minoriteteve, polarizimin politik që shpesh e faktorizon Listën Serbe, përbërjen etnike ku përmes organizatave kriminale që veprojnë në veri e dikton vullnetin e saj në terren tek qytetarët kosovarë të etnisë serbe, përmes Kishës Ortodokse Serbe që proklamon vijën nacionaliste në raport me Kosovën e influencon krijimin e opinionit te serbët e Kosovës përmes ligjërimit fetar, si dhe shfrytëzon pozicionin problematik të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar si pasojë e mosnjohjes, ku shpesh kemi qenë dëshmitarë të veprimeve dhe retorikës që do ishte e patolerueshme në marrëdhëniet mes shteteve.
Interesat Serbe dhe Ruse në këtë rast duhet të asimilohen me njëra tjetrën, përderisa e para synon defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, projekt i mbështetur nga vendet perëndimore, dhe e dyta mëton luftimin e dominimit perëndimor në rajonin e Ballkanit dhe shtrirjen e dominimit të saj. Këto interesa kanë të përbashkëtat e tyre jo vetëm në rrafshin konceptual, por edhe në atë praktik. Duke shfrytëzuar minoritetet Serbe në Ballkan, Serbia synon të shtrijë hegjemoninë e saj dhe të ndikojë jetën politike në vendet fqinje, përderisa Rusia përmes shfrytëzimit të të njëjtave komunitete synon pengimin e arritjeve të objektivave të shteteve perëndimore në këto vende. Shembull i këtij bashkëpunimi është edhe ndërtimi i qendrës humanitare Ruse në Nish, e cila është interpretuar si fasadë e një qendre të koordinimit të aktiviteteve të spiunazhit dhe aktiviteteve tjera armiqësore me qëllim që të shërbejë si deterrent ndaj dominimit perëndimorë në Ballkan dhe shtytjes para të interesave Ruse pikërisht përmes kërcënimeve hibride. Nën maskën e aksioneve humanitare, Rusia ka lansuar operacione speciale ushtarake në Ukrainë për të arritur objektiva operative në terren.
Tjerë faktorë që e bëjnë Kosovën terren të favorshëm për veprime armiqësore kundër shtetësisë së saj janë lehtë të identifikueshme. Korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit, përhapja e radikalizmit fetarë, mungesa e mekanizmave që parandalojnë përhapjen e propagandës, mungesa e mekanizmave të luftimit të sulmeve kibernetike, gjendja socio-ekonomike, polarizimi i thellë politik, e të gjitha këto e bëjnë Kosovën vulnerabile ndaj kërcënimeve hibride.
Në anën tjetër në proceset që Kosova pritet të kalojë deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të pritet që aktivitetet e fenomenit të trajtuar do të mund të shtohen dukshëm me qëllim të dobësimit të pozicionit të Kosovës në tavolinat e negocimit. Edhe pse aktivitetet e aplikueshme në Kosovë fatmirësisht kanë një kufizim të caktuar, si pasojë e pranisë së trupave amerikane dhe atyre të KFOR’it që shërbejnë si deterrent ndaj formave më agresive të kërcënimeve hibride, krijimi i një strategjie për të ju kundërpërgjigjur këtyre kërcënimeve duhet të konsiderohet iminent. (shih edhe trajtimin e Gëzim Visokës)
Kjo strategji duhet të tejkalojë mendësinë e përgjigjes ushtarake ndaj këtyre kërcënimeve, duke kaluar në përgjigje përmes bashkëpunimit civilo-ushtarak. Një rrjet komunikimi dhe bashkërendimi të veprimeve ndërmjet Forcës së Sigurisë dhe organit të saj të inteligjencës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovë dhe organeve tjera shtetërore në një anë, si dhe komunikimi dhe bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare të sigurisë dhe shtetet partnere, duhet të jetë themeli i doktrinës së Kosovës për luftimin e kërcënimeve hibride.
Identifikimi i kërcënimeve ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe planëzimi i përgjigjes ndaj këtyre kërcënimeve në një doktrinë për luftimin e kërcënimeve hibride, krahas forcimit të sundimit të ligjit dhe organizmit shtetërorë, paraqiten të një rëndësie jetike për shtetësinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore të fokusuara në fushën e teorive të së drejtës ndërkombëtare dhe filozofisë të së drejtës, studimeve të mbrojtjes dhe sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.