Nxënësit e shkollës së mesme të ulët “Hasan Prishtina” në fshatin Godanc të Komunës së Shtimes kanë publikuar një video, në të cilën vërehen një vajzë dhe një djalë nga klasa IX-3 duke e dëmtar inventarin e shkollës, të martën.
Rreth kësaj çështjeje kanë nisur hetimet nga udhëheqësit e shkollës dhe janë identifikuar kryerësit e kësaj vepre, për të cilët pritet të merren masa disiplinore sipas udhëzimeve administrative dhe ligjeve në fuqi nga MASHT-i, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjatë viteve të fundit kjo shkollë me 490 nxënës është zgjedhur njëra ndër më të mirat në procesin mësimor në rajonin e Ferizajt, mirëpo për këtë rast ka reaguar vetë drejtoresha e kësaj shkolle, Zade Mustafa, e cila është zotuar se nga dita e mërkurë (sot) do të merren masa sipas ligjeve dhe udhëzimeve administrative.
“I kemi identifikuar këta dy nxënës të klasës IX-3, të cilët e kanë dëmtuar inventarin e klasës. Këta janë që të dy problematikë, ndërkohë nxënësi Z.A., i cili e hedh karrigen në ajër është përsëritës i vitit dhe ndërkohë kemi biseduar edhe me prindin e tij, mirëpo sjelljet e tij nuk janë përmirësuar. Ndryshe, ne do të marrim masa sipas ligjit ndaj tyre”, ka thënë Mustafa.