Ndeshje jashtëzakonisht interesante u zhvillua ditën e sotme në ‘Riza Lushta’ mes Trepçës’89 dhe Dritës, e cila në fund përfundoi me rezultat të barabartë 2-2. Pas ndeshje trajneri i mitrovicasve, Shpëtim Idrizi është shprehur i mërzitur me mos arritjen e tre pikëve, transmeton Gazeta Metro.
Pas 45 minutave të para mitrovicasit ishin në avantazh të dy golave, ku brenda tre minutave në minutën e 36’të dhe 39’të shënoi dy herë sulmuesi, Christian Mba.
Megjithatë, mysafirët në pjesën e dytë u këndellën dhe në minutën e 72’të rezultatin e ngushtoi, Drilon Islami, ndërsa disa minuta më vonë barazoi gjithçka, Ardit Tahiri.
Idrizi pas ndeshjes ka deklaruar se është mëkat që pas avantazhit të dy golave, ndeshja të përfundoj në barazim. Por, shprehet i kënaqur me angazhimin e lojtarëve.
”Është mëkat që prej avantazhit të dy golave, ndeshja të përfundojë 2:2. Në pranimin e golave ndikoi përqendrimi. Megjithatë, jam i lumtur për angazhimin që e patën futbollistët në fushë si dhe për vullnetin që treguan në duelin ndaj Dritës”, ka shtuar më tej Idrizi. E kemi ditur se do të jetë ndeshje e vështirë. Ne kemi treguar se kemi kualitet dhe cilësi brenda ekipit”, ka deklaruar ai për ArtSport.
Sot u zhvilluan edhe dy ballafaqime tjera në javën e parë të Superligës së Kosovës, ku Gjilani mposhti me rezultat 3-2 Ferizajn, kurse Prishtina shënoi fitore 1-2 ndaj Dukagjinit. /gazetametro.net