Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, pas barazimit kundër Zalgiris ka folur edhe për situatën e krijuar së fundmi me mesfushorin, Kushtrim Gashi, ku tha se në një ekip janë prezente këto gjëra. Megjithatë, ka reaguar edhe mesfushori përmes një postimi në Facebook, transmeton Gazeta Metro.
Për herë të parë në histori të klubit skuadra e Ballkanit sonte u paraqit në garat europiane dhe arriti një barazim kundër Zalgiris në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Pas ndeshjes trajneri, Ilir Daja, foli edhe për mesfushorin, Kushtrim Gashi, për të cilin tha se gjatë ndeshjeve miqësore nuk e ka treguar atë që e kishin pritur dhe në vazhdimësi do t’i sheshojnë këto gjëra të vogla.
”Në një ndeshje të tillë besoj që nuk do të ma bëni këtë pyetje. Në një ekip janë prezente këto gjëra, ne nuk ja mohojmë vlerën që Gashi ka dhënë për Ballkanin, por nuk ka pasur shumë minuta për shkak të dëmtimeve, në ndeshjet miqësore e kemi nisur si titullarë, nuk e ka dhënë atë që ne prisnim – një nga lojtarët më të mirë në fushë ishte Emërllahu që luan në pozicionin e Gashit. Besoj që në vazhdimësi do i sheshojmë këto gjëra të vogla,” tha ai për Art Motion.
Ndërsa, gjatë kohës sa ishte duke dhënë intervistë trajneri i tij, mesfushori ka publikuar një fotografi në ‘story’ në Facebook’in e tij të Ilir Dajës.
Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 12 korrik në Lituani dhe skuadra e cila kalon në fazën tjetër do të ndeshet kundër fituesit të sfidës Malmo-Vikingur Reykjavik, e cila përfundoi sot me fitoren e skuadrës suedeze me rezultat 3-2. /gazetametro.net