Loading…

Iluzioni i zgjedhjes mes Amerikës dhe Bashkimit Europian

  • Nga

  • ARBËR AHMETI

  • 04/03/2020 | 15:35

Iluzioni i zgjedhjes mes Amerikës dhe Bashkimit Europian

Kryeministri Kurti padyshim është një ndër figurat më karizmatike dhe një prej politikanëve më inteligjent në skenën politike të Kosovës. Kjo u dëshmua edhe nga veprimi i fundit i heqjes së tarifës, pasi duhet mendja e një mjeshtri të madh edhe të përmbushet kërkesa e aleatëve tanë për të hequr tarifën, edhe të bëhet në mënyrë të tillë që rrezikon me penalizmin dhe sanksionimin e paralajmëruar të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Shkruan Arbër Ahmeti

Së fundmi po ndodhë edhe rrëshqitja e parë në historinë e politikës së jashtme të Kosovës, duke u konsideruar Bashkimi Europian si partneri kryesor dhe duke u injoruar kërkesat e SHBA’ve dhe roli primar që e kanë rimarrë në procesin e dialogut. Ky do të ishte edhe gabimi i fundit i Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti në fjalimin e tij në seancën për heqjen e tarifës në Kuvendin e Kosovës, u shpreh se strategjia ndodhë në hapësirë dhe taktika në kohë. Si duket i gjithë problemi i marrëdhënieve tash jo aq të mira Kosovë-SHBA pushojnë tek ky keq-interpretim i Kryeministrit rreth raporteve taktikë-strategji, për arsye se në fakt është e kundërta e definicionit që Kurti na paraqiti, dhe Kryeministri ose nuk e kupton këtë raport ose ka vendosur të tallet me deputetët që edhe ashtu i konsideron analfabet.

Pa mëtuar ta deshifroj definicionin e Kryeministrit mbi taktikën dhe strategjinë, mënyra më e thjeshtë për ta menduar strategjinë do ishte si lidhja e mundësive realizuese (apo kapabiliteteve) me qëllimet finale dhe ajo shtrihet në kohë deri në arritjen e objektivit. Taktika ka limit kohor dhe kapacitet të limituar në raport me rezultatet dhe ajo ndryshon sipas rrethanave të reja që krijon, duke qenë kështu mjet për përmirësimin e pozicionit. Ndërsa strategjia përfundon vetëm kur të arrihen qëllimet finale. Këtu qëndron gabimi i deritanishëm i Kosovës lidhur me tarifën e vënë ndaj Serbisë, e cila u vendos si masë taktike që tutje u trajtua si masë strategjike duke sjellë dhe fundin e përfitimeve prej saj. Fundja tarifa është masë e njëanshme që mund të vendoset kurdo me një vendim të qeverisë. Asimilimi i taktikës me strategjinë e ka sjellë Kosovën në pozitën më të pa-lakmueshme deri tani, dhe në stand-off krejt të panevojshëm me aleatët e saj kryesor.

Dilema nëse Kosova duhet të zgjedhë mes BE’së dhe SHBA’ve, duhet  të ndërtohet pikërisht mbi pyetjen se në cilin rast janë më të mëdha mundësitë realizuese për arritjen e objektivave final dhe qëllimeve strategjike e politike të Republikës së Kosovës. Vitet e fundit të gjithë ishin të shqetësuar për zbehjen e interesit të faktorit ndërkombëtar në përshpejtimin dhe pjesëmarrjen në zgjidhjen e problemit të Kosovës me Serbinë. Me bllokimin e procesit të dialogut, një prej shqetësimeve më të mëdha në opinionin publik në Kosovë ishte indiferenca e Amerikanëve kundrejt procesit të dialogut.

Se kush duhet të konsiderohet partneri kryesor i Kosovës në raport me objektivat e saj është më se e qartë, por meqë ekziston iluzioni se Kosova paska disa opsione, atëherë le ti përballim këto mes vete. Mund të konsiderojmë se dy janë qëllimet kryesore të Kosovës: (1) Mbrojtja e sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës; (2) Forcimi i subjektivitetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

SHBA është garantuesi kryesor dhe mbështetësi më i madh në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës. SHBA’të e njohin Kosovën si shtet të barabartë mes kombeve dhe si një prej partnerëve kryesor në Ballkan. Deri tani SHBA’të kanë qenë donatori më i madh në shtet ndërtimin dhe ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë. Përveç kësaj, prezenca e trupave amerikane dhe të NATO’s në Kosovë janë deterrenti kryesor dhe i vetëm në parandalimin e konfliktit të armatosur dhe krizave që do të rrezikonin rëndë sigurinë e vendit dhe të rajonit. Është provuar që prezenca e forcave tokësore amerikane në territorin e shteteve partnere e pamundëson paraqitjen e konflikteve të armatosura në territoret përkatëse. Kapacitetet dhe kapabilitetet e SHBA dhe NATO’s garantojnë që Kosova të mos jetë objekt i sulmeve qoftë konvencionale, qoftë jo konvencionale dhe hibride që do mund ta qonin vendin në kaos total. Shtetet e Bashkuara kanë strategji të qartë, mundësi të realizimit dhe forcë diplomatike dhe ushtarake për të arritur qëllimet e saj, dhe për të ndërmarrë veprime që s’do të implikonin përdorimin masiv të forcës i duhet vetëm vendimi i Presidentit.

Bashkimi Europian është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe nuk ka mision në Kosovë që garanton sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës. Pesë vende anëtare të Bashkimit Europian nuk e njohin ekzistencën e Kosovës si shtet. Edhe pse ka struktura për menaxhimin e krizave dhe konflikteve, kohezioni i brendshëm i BE’së reflektohet direkt në vendim-marrjen e saj. Mekanizmat e BE’së janë mekanizma për menaxhimin e krizave dhe nuk veprojnë si deterrent në parandalimin e tyre. Të gjitha mjetet që BE ka në dispozicion në parandalimin e krizës janë diplomatike. Mekanizmat për menaxhimin e krizave hyjnë në lëvizje vetëm pasi krizat ndodhin, me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.

Këto mekanizma mund të vihen në lëvizje vetëm pas aprovimit të të gjitha vendeve anëtare të BE’së në Këshill. Bashkimi Europian dhe shumica e vendeve anëtare mbështeten në kapacitetet e NATO’s si forum i implementimit të politikave të tyre të mbrojtjes kolektive, dhe jo në klauzën e mbrojtjes kolektive të Traktatit për Bashkimin Europian pasi implementohet në nivel bilateral dhe mungojnë mekanizmat implementues dhe kapacitetet e mbrojtjes kolektive në nivel të BE’së. Për të ndërtuar këto kapacitete vendeve anëtare të BE’se do u duheshin së paku 20 vite dhe resurse enorme. Prezenca e trupave amerikane në Europë po ashtu është kruciale në relativizimin e mungesës së kapaciteteve teknologjike, logjistike dhe ushtarake të vendeve të Bashkimit Europian në raport me kundërshtarët potencial.

(2)  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtrirjen më të madhe të influencës krahasuar me vendet e tjera, dhe resurset më të mëdha të orientuara për këtë qëllim. Sot prezenca ushtarake, politike, ekonomike dhe kulturore e Shteteve të Bashkuara në botë është e paprecedent në historinë e njerëzimit. Poashtu SHBA’të janë donatori më i madh në organizata ndërkombëtare dhe agjencitë e tyre. Iniciativa amerikane rezultoi me përshpejtimin e dukshëm të çlirimit të Kosovës nga Serbia dhe mbështetja e tyre ishte kruciale në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

SHBA’të që në fillim kanë lobuar për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e tyre. Këto elemente duhet ti bëjnë SHBA’të partnerin kryesor të Republikës së Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë qasje të qartë lidhur me përfundimin e dialogut, ato e njohin dhe e konsiderojnë partner Kosovën, dhe fundin e dialogut e projektojnë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Kapacitetet diplomatike dhe ekonomike të SHBA’ve janë garantuesi i zbatimit të çfarëdo marrëveshjeje të së nesërmes mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Europian po ashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, por jo edhe në forcimin e subjektivitetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE’ja nuk paragjykonte finalizimin e tij. Marrëveshjet politike që ofroi BE’ja nuk parashikuan formën finale që do merrte dialogu, dhe përderisa Kosovës iu kërkua të bënte kompromise politike, Serbisë asnjëherë nuk iu imponua një kompromis jashtë kornizave të kompromiseve teknike. Përveç kësaj BE e konstruktoi dialogun në termat e neo-funksionalizmit e cila proklamon integrimin regjional përmes bashkëpunimit ekonomik. Kësisoj u synua të projektohet e ardhmja e përbashkët Europiane përmes bashkëpunimi ekonomik dhe integrimit regjional si incentivë e mjaftueshme që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë të normalizohen.

Konstruktimi i dialogut përmes neo-funksionalizmit do të ishte ideal, por pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë përmes një modeli si i Procesit të Berlinit. Nëse shohim suksesin e funksionalizmit në pajtimin dhe pastaj formimin e Komunitetit Europian pas luftës së dytë botërore, kuptojmë që perceptimi dhe ekzistenca e kërcënimit dhe armikut të përbashkët ka qenë po aq e rëndësishme sa nevoja për rimëkëmbje ekonomike. Ky është dimension që Kosovës dhe Serbisë i mungon dhe normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit, ndërveprimit dhe integrimit rajonal.

Mjafton të shikojmë se në cilin rast mundësitë për realizimin e qëllimeve të Kosovës janë më të mundshme që të kemi që qartë se kush është partneri kryesor i Kosovës. Kosova nuk mund të rrezikoj të humb një partner si SHBA’të e cila me anëtarësimin e Maqedonisë dhe Malit të Zi në NATO vetëm se e ka përmbyllur procesin e etablimit të prezencës së saj në Ballkan.  Aspiratat e Kosovës për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian janë të shëndosha, por Kosova e ka të pamundur të krijoj marrëdhënie të barabarta karshi BE’së, për shkak se ajo së pari është neutrale ndaj pavarësisë së Kosovës dhe së fundmi ka filluar ti shoh vendet e Ballkanit Perëndimor më shumë si periferi sesa si kandidat serioz për anëtarësim.

Kosova duhet të thelloj marrëdhëniet bilaterale më vendet anëtare të BE’së dhe të vlerësoj peshën e secilit në raport me garantimin e përmbushjeve të qëllimeve të Kosovës. Përveç kësaj mbështetja në BE’në në një kohë krizash pas largimit të Britanisë, fushatës Franceze për protagonizëm dhe me debatet e mosmarrëveshjet rreth formimit të mekanizmave të mbrojtjes kolektive, duhet të konsiderohet si aventurë e rrezikshme. Aktivitetet e Kosovës në politikën e jashtme duhet të intensifikohen dhe diplomacia kosovare të bëhet më kualitative dhe proaktive, ndërsa në kuadër të dialogut të kërkohet anëtarësimi gradual në agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara, organizata dhe nisma ndërkombëtare, Këshill të Europës dhe aderim në instrumente si Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Nëse ne duam ti shohim marrëdhëniet me SHBA’të dhe aleatët tanë Europian vetëm si ndërtim mbi interesa momentale dhe jo edhe mbi histori të bashkëpunimit, ndihmës së ndërsjellë dhe përkushtimit ndaj njëra tjetrës, që në fakt do të ishte komplet jo-serioze, atëherë vetëm formula e zgjedhjes së aleatit që të ka asistuar të vish nga gjendja e shtypjes dhe pushtimit në gjendje të lirisë dhe që ka armë bërthamore më shumë se gjithë të tjerët bashkë, do ta bënte mjaftë të thjeshtë përgjigjen ndaj iluzionit të zgjedhjes që ka filluar të gjej vend në opinionin publik.

(Arbër Ahmeti është jurist me interesa studimore në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

 

Më të fundit
...
  • 08/08/2020 | 23:53
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë