Kësaj radhe në Maqedoni, në kampin politik shqiptar, është shtuar edhe një subjekt i ri politik, i cili po dyshohet për lidhje me struktura islamike.
Bëhet fjalë për Lëvizjen Besa, e cila nga sa është parë në fushatën parazgjedhore, duket të ketë mbledhur jo pak mbështetës rreth vetës.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për gazetën Zëri, ka thënë se nga aq sa ai ka informacion, kjo lëvizje po anatemon çdo gjë që është shqiptare, dhe imamët nëpër xhamia janë shndrruar në zëdhënës të saj.
“Për ‘Besën’ nuk kam informacion zyrtar, nuk kam diçka të vërtetuar në rrugë zyrtare. Unë flas për “Besën” për aq informacion që kam, që një pjesë të imamëve nëpër xhamia i ka shndërruar në zëdhënës politikë të ‘Besës’, ku ata dënojnë çdo gjë edhe shqiptare që ka ndërtuar BDI-ja”.
“Këtë nuk e bëjnë në rrugë tepër transparente, por e bëjnë në rrugë tepër të sofistikuar duke filluar që nga Skënderbeu, Nënë Tereza, Universiteti, apo Pjetër Bogdani, apo Josif Bageri duke thënë ja Ali Ahmeti promovon kristianizmin. Por unë promovoj vlera të shqiptarëve”.