Imam Osman Musliu e ka quajtur shizofrene anëtaren e PDK-së, Ajnishahe Halimin pas deklaratave të saj se ai nuk e ka treguar të vërtetën rreth varrimit të familjes Jashari në mars të vitit 1998.
Musliu ka thënë se nuk e ka ndërmend të merret me spiunë dhe shizofrenë.
“Nuk e kam mendjen më folë më sepse më kanë lodhur spiunët. Nuk merrem më me njërëz të cilët janë shizofrena”, ka thënë Musliu, për Aktivpress.
Ai ka shtuar se i vjen keq nga familja Jashari që njerëzit po luajnë lojëra të tilla për përfitime personale.
“Nuk dua të merrem më me atë punë sepse më vjen keq prej Jasharajve. E ndjej veten shumë keq se ata tashmë kanë vdekur dhe ne të bëjmë këso farë lojërash për përfitime nuk është e drejtë”, ka thënë Musliu.
Ai ka thënë se tashmë nuk do të merret me deklarata të njerëzve të tillë. “Më falni por për këta njerëz nuk du më fol. Nuk kam asnjë koment tjetër në lidhje me të”, ka përfunduar imam Osman Musliu.
Ish-aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, që tash vepron në PDK, Ajnishahe Halimi, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka shkruar se rrëfimi i imam Osman Musliut nuk është i vërtetë pasi sipas saj ai nuk ka qenë prezent në varrimin e familjes Jashari. Sipas Halimit, varrimi i familjes Jashari dhe falja e namazit është bërë nga hoxhë Fetah Bekolli. Ajo ka kërkuar që imam Osman Musliu të heshtë në lidhje më këto deklarata pasi sipas saj duhet t’i vijë turp për rrëfimin e tij.